TIRANË, 7 Mars/ATSH/ – Gratë e komunitetit rom dhe egjiptian do të marrin shërbime shëndetësore pa pagesë, për të cilat kanë nevojë.
Në kuadër të nismave të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në muajin e grave, Ministrja Ogerta Manastirliu vizitoi sot qendrën e gruas në Maternitetin ‘Mbretëresha Geraldinë’ në Tiranë, ku lajmëroi nismën për ofrimin e këtyre shërbimeve.
“Jemi këtu në këtë qendër tërësisht të rinovuar ku lançojmë nismën më të re të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që ju vjen në ndihmë grave më në nevojë. Në një fashë orare të dedikuar enkas për gratë e komunitetit rom dhe egjiptian dhe gratë në nevojë, çdo ditë nga ora 14.00-16.00 mjekët dhe stafi i Maternitetit Mbretëresha Geraldinë do të jenë në shërbim të këtyre grave, të cilat për shumë arsye që lidhen edhe me barrierat socio-kulturore, nuk arrijnë t’i marrin këto shërbime”, u shpreh Ministrja Manastirliu.
Sipas Ministres, kjo nismë do të mundësojë parandalimin e sëmundjeve përmes kontrolleve të hershme.
“Kjo nuk është nisma e parë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sa i takon aksesit në shërbime për kategoritë në nevojë. Nga Janari ne kemi nisur programin tashmë kombëtar të Kujdesit Shëndetësor në Komunitet, përmes të cilit po ofrohet shërbim shëndetësor pranë vendbanimeve, kryesisht të grupeve të margjinalizuara si komuniteti rom dhe egjiptian”, tha Manastirliu.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, vetëm në dy muajt e parë të vitit, u kryen 830 mamografi, falë mamografisë së lëvizshme, ndërkohë që gjatë gjithë vitit të kaluar u kryen 4250 mamografi. Po kështu, vetëm në dy muaj, 1070 fëmijë janë vaksinuar aty ku jetojnë, pranë vendbanimeve te tyre, falë programit të kujdesit shëndetësor në komunitet të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Nga ana e saj, drejtoresha e Maternitetit Mbretëresha Geraldinë dr. Eljona Demaliaj mbështeti nismën dhe garantoi se mjekët dhe stafi i maternitetit do të jenë në shërbim të dedikuar për të përmbushur deri në fund këtë nismë që garanton shërbimin shëndetësor falas për gratë në nevojë.
Falë nismës, gratë do të përfitojnë ekografitë obstetrikale dhe gjinekologjike, pap test, vizita falas dhe të gjitha shërbimet për të cilat kanë nevojë. /r.e/














