Ballina Bota

HAGË – Europol shkatërron një grup të organizuar për mashtrim masiv me TVSH-në

HAGË, 4 maj /ATSH-AFP/ – Një operacion i policisë europiane mundësoi arrestimin e 58 personave në kuadër të shkatërrimit të një grupi të organizuar, i cili kryente mashtrime me TVSH-në me një vlerë të përgjithshme që arrin në qindra milionë euro, njoftoi sot agjencia europiane e policisë, Europol.

Operacioni i koordinuar nga selia e Europolit në Hagë me mbështetjen e Eurojust, njësisë së bashkëpunimit gjyqësor të Bashkimit Europian i mundësoi forcave të policisë arrestimin e të dyshuarve në Belgjikë, Gjermani, Portugali dhe Spanjë.

”Vetëm policia spanjolle ka arrestuar 52 të dyshuar mes periudhës 18 deri në 20 prill”, deklaruan Europol dhe Eurojust në dy deklarata të ndryshme.

Grupi kriminal i cili vepronte në të gjithë Europën këto nëntë vitet e fundit është i dyshuar për mashtrim me TVSH-në dhe pastrimin e parave për një vlerë të përgjithshme që arrin në 390 milionë euro.

Organizata kriminale kryente ose shtirej për kryerjen e importeve dhe blinte mallra elektronike, të vërteta ose të falsifikuara përpara se t’i rishiste online.

Të dyshuarit përdornin një rrjet me rreth 100 kompani, shoqëri fantazma në pjesën më të madhe në Europë dhe në SHBA për të pastruar paratë përpara se t’i kalonin drejt llogarive bankara në Bullgari dhe Hungari./ /v.b/  a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakThaçi dekreton ligjin për demarkacionin me Malin e Zi
Artikulli tjetërSPANJË – Rajoy: Nderim për të gjitha viktimat e ETA-s