Ballina Bota

ATHINË – Cipras: E ardhmja në duart tona

ATHINË, 25 maj /ATSH-ANA/ – Tashmë ne jemi të vetmit që do të menaxhojmë të ardhmen tonë dhe do të qeverisim bazuar mbi përparësitë tona dhe jo të atyre të kreditorëve, deklaroi kryeministri grek, Aleksis Cipras, njëkohësisht edhe lideri i SYRIZA-s, në manifestimin përmbyllës të zhvilluar dje në Athinë, dy ditë para zgjedhjeve europiane dhe atyre lokale që do të zhvillohen nesër.

”Pavarësisht masave shtrënguese dhe kredive, qeveria arriti të gjejë rrugët për të siguruar mbështetje gjatë krizës humanitare në Greqi. Disa prej këtyre iniciativave përfshinë sektorët e shëndetit publik, arsimit, sigurimeve dhe pensioneve”, shtoi ai.

”Ne kaluam përmes një odiseje moderne për të mbërritur deri këtu, por, pavarësisht aventurës, ne mbërritëm në shtëpi, pa pyetur për pengesat që na dolën rrugës”, theksoi Cipras duke iu referuar përmbylljes nga ana e Greqisë të programeve rregulluese fiskale, në gusht 2018.

Ndërmjet planeve për të ardhmen, Cipras përmendi punësimin e 10 000 personave në sektorin e shëndetit publik, 15 000 në atë të arsimit, ndihmë financiare për qiratë e shtëpive për 240 000 familje greke, reduktimin e kontributeve për sigurimet shoqërore në 13% e tjerë./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ Nis protesta e opozitës përpara Kryeministrisë
Artikulli tjetërFOTO/ Braçe: Tirana zgjedh Parkun e Liqenit