TIRANË, 2 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se tema e Samitit të Berlinit nuk ishte çelja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ashtu sikurse u keqinformua në mediet shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama informoi fillimisht mbi punimet e samitit franko-gjerman të Berlinit.
“Nuk kisha parë kurrë më parë desinformim, keqinformim dhe keqpërdorim më të madh politik e mediatik të një ngjarjeje politike ndërkombëtare, ku kam qenë pjesëmarrës, se sa risia e marrëzive dhe ligësive që u pasqyrua në pasqyrat e medieve shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë”, – tha Rama.
Kryeministri theksoi se “samiti nuk kishte asnjë lidhje me çeljen e negociatave dhe ky nuk ishte një samit për çështjen e integrimit të Ballkanit Perëndimor”.
Deklarata finale dhe tema e Samitit, sipas Ramës, ishte bashkëpunimi rajonal dhe një pikë e veçantë ishte për dialogun Kosovë-Serbi.
Po ashtu, Kryeministri informoi se Kancelarja Angela Merkel kishte dy takime bilaterale, me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe me kryeministrin e Shqipërisë, ku do të flitej lidhur me çështjen e çeljes së negociatave për anëtarësim në BE të këtyre vendeve.
“Por ashtu si edhe disa herë më parë, unë nuk shkova në takim për t’u njohur me vendimin e Gjermanisë në zyrën e Kancelares Merkel, sepse vendimmarrja kalon përmes Bundestagut dhe Kancelarja nuk e thotë fjalën e fundit të parën, sidomos pa dalë rekomandimi i progresraportit për Shqipërinë”, – tha Rama.
“Broçkullat e përhapura ende pa filluar takimi im me Kancelaren Angela Merkel ishin nga më të hatashmet, por janë thjesht dhe vetëm një shprehje ekstreme e dëshpërimit e të gjithë atyre që duan të marrim Shqipërinë me vete në rrugën e thyerjeqafës që e kanë zgjedhur vetë. Deklaratat e tyre se negociatat nuk hapen sa të jem unë në qeveri janë të vajtueshme, të shëmtuara, të turpshme sepse nuk ka shqiptarë të logjikshëm që nuk e kupton se tanimë prej disa vitesh vendimmarrja europiane për vendet e rajonit nuk lidhet vetëm me çfarë bëjmë ne, por po aq, me çfarë ndodh me politikën e brendshme të disa vendeve të kërcënuara nga rritja e partive antieuropiane”, – tha Rama./j.p/






















