VERONË, 29 mars /ATSH-AFP/ – Familja Tradicionale hapi sot kongresin e saj botëror në Veronë, në mbrojtje të qëndrimeve ultra-konservatore me mbështetjen e së djathtës ekstreme dhe me kundërshtimin e grupeve feministe, që do të protestojnë nesër.
I nisur në vitin 1997 nga amerikani Brian Brown, president i Organizatës Ndërkombëtare të Familjes, ky kongres botëror mblidhet çdo vit, që nga viti 2012, ku marrin pjesë mbrojtës të familjes tradicionale, militantë të anti-abortit ose dhe ata që janë kundër martesës midis homoseksualëve.
Motoja e kongresit është “të pranosh, të lavdërosh dhe të mbrosh familjen natyrale si njësinë e vetme themelore dhe të qëndrueshme të shoqërisë”.
Edicionet e mëparshme janë zhvilluar vitin e kaluar në Moldavi, nën patronazhin e presidentit Igor Dodon dhe në 2017 në Budapest, me pjesëmarrjen e kryeministrit hungarez Viktor Orban.
Megjithatë, zgjedhja e Italisë këtë vit, ka krijuar “dallgë” në gadishull, madje dhe brenda qeverisë.
Nën presion, presidenca e Këshillit të Ministrave italian tërhoqi patronazhin e udhëhequr nga Lorenco Fontana, anëtar i “Lega Nord” dhe mbrojtës i zjarrtë i familjes tradicionale./ /ash/ a.jor.























