NION, 18 mars /ATSH-AA/ – Federata Europiane e Futbollit, UEFA, ka hapur një procedurë disiplinore kundër yllit të “Juventusit”, Kristiano Ronaldo, për mënyrën e festimit të njërit prej tre golave që shënoi kundër “Atletiko Madridit” javën e kaluar në Ligën e Kampionëve.
“Procedurat disiplinore janë hapur si rrjedhojë të ndeshjes së Ligës së Kampionëve të UEFA-së mes Juventusit dhe Atletiko Madridit që u luajt më 12 mars në Itali”, thuhet në njoftimin e UEFA-së.
Në njoftim sqarohet se akuza ka të bëjë me sjellje të pahijshme të lojtarit Kristiano Ronaldo dhe se lënda do të trajtohet të enjten nga trupi për kontrollin e etikës dhe disiplinës.
Kujtojmë se Ronaldo shënoi tre gola në ndeshjen e kthimit në Torino duke i dhuruar një fitore “Juventusit” me rezultatin 3:0, pas humbjes 2:0 në Madrid.
“Juventusi” do të përballet me “Ajaksin” në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve më 10 dhe 16 prill. /G.S/













