Ndryshimet që sjell ligji i ri i punësimit, zgjerim i programeve dhe shërbimeve për qytetarët

TIRANË, 18 mars/ATSH-A.Fortuzi/ – Ligji i ri për Nxitjen e Punësimit në vend, votuar javën e shkuar në Kuvendin e Shqipërisë, përveçse do të zgjerojë gamën e programeve të ofruara nga Zyrat e Punës, do të sjellë një rikonceptim të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen, tha në studion e ERTV, se “ligji i votuar parashikon Agjencinë e re të Punësimit dhe Aftësimit, si njësia që do të mbajë brenda vetes si çështje dhe problematika të punësimit, ashtu edhe të aftësimit profesional. Në këtë mënyrë ligji zgjeron shumë gamën e programeve që Shërbimi Kombëtar mund të ofrojë, që ato të jenë të targetuara sipas nevojave të grupeve vulnerabël”, tha Sorensen.

Për vitin 2019, sipas Sorensen, synimi është 20 mijë të papunë që përfitojnë nga programi “Start Smart”.

“Nga sektori privat kemi kuptuar që përveçse mungesës së aftësive teknike, shpesh ka mangësi në aftësi të lehta, apo të buta, e thënë ndryshe “soft skills”, ku përfshihen komunikimi, aftësia për punë në grup, apo për të ndërmarrë procese individuale dhe për këtë, Shërbimi Kombëtar i Punësimit, duke filluar nga fundi i vitit 2018, ka filluar zbatimin e një pakete dyjavore që është “Start Smart”, e cila synon të pajisë të rinjtë dhe të rejat me aftësi të lehta”, shtoi zëvendësministrja.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.