TIRANË,12 Mars /ATSH/ – BERZH lançoi sot një program të ri në Shqipëri, programin për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër (GEFF), për të siguruar grante për sektorin e banesave me qëllim që të përmirësohet efikasiteti energjetik.
Një shumë prej 9 milionë eurosh është dedikuar për Shqipërinë. Donator kryesor i këtij programi është Bashkimi Europian.
Drejtori i BERZH në Shqipëri, Matteo Colangeli theksoi se, qytetarët që jetojnë në ndërtesa private dhe komunitare në Shqipëri, do të përfitojnë nga një akses më i gjerë në financim për projekte të ruajtjes energjetike falë këtij programi.
Ky program ka si qëllim të zvogëlojë përdorimin e energjisë në sektorin e banesave, të ulë ndotjen e ajrit dhe të përmirësojë komoditetin e jetesës nëpërmjet kësaj huaje tek bankat partnere për të mbështetur investimet në teknologjinë e gjelbër.
Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca tha se së bashku me BERZH dhe KFW ky program mundëson arritjen e një angazhimi që BE ka marrë për të ndihmuar Shqipërinë për ta bërë ekonominë e saj më të gjelbër nëpërmjet investimeve në efiçencën e energjisë dhe energjisë së rinovueshme në të mirë të të gjithë qytetarëve në Shqipëri dhe pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor.
“Ka ardhur koha për efikasitetin e energjisë në Shqipëri. Ne duhet të bashkojmë forcat me GEFF, BERZH, BE dhe Austrinë për të pasur qytete më të gjelbra në Shqipëri”, tha kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm në aktivitet.
/gj.mima/ /a.g/



















