Ballina Aktualitet

Tatime-biznes, marrëdhënie mbi parimin e bashkëpunimit dhe jo ndëshkimit

TIRANE, 21 Prill/ATSH/- Ndryshe nga sa është perceptuar se detyrë funksionale e inspektorëve tatimore është kontrolli e gjobëvënia, tashmë ky rol do të ndryshojë duke e çuar në një shkallë tjetër cilësinë e marrëdhënies mes përfaqësuesve të tatimeve në terren dhe biznesit.

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit që zhvilloi sot me drejtues qendrorë e vendorë në Fier ku prej ditës së djeshme është zhvendosur i tërë kabineti qeveritar deklaroi se “është domosdoshmëri që të gjithë të vetëdijësohen dhe të veprojnë bazuar mbi parimin e bashkëpunimit me biznesin dhe jo mbi parimin e ndëshkimit të biznesit”.

Duke folur për përfshirjen e biznesit me xhiro vjetore 2-5 milionë lekë në skemën e TVSH-së, për herë të parë nga data 1 prill e këtij viti, shefi i Qeverisë vuri në dukje se është bërë një punë e jashtëzakonshme për të informuar biznesin e vogël.

“Nga mbi 9900 biznese që preken nga ky ndryshim deri javën e shkuar tatimet kanë arritur të takojnë e komunikojnë drejtpërdrejt me afro 6 mijë prej tyre në territor”, informoi Rama.

Objektiv është që kjo fushatë të vijojë, tha kryeministri Rama, në mënyrë që t’u shpjegohet të gjithëve për çfarë bëhet fjalë.

“Përtej këtij momenti delikat është e domosdoshme që marrëdhënia mes tatimit e biznesit të jetë një marrëdhënie mbi parimin e bashkëpunimit jo mbi parimin e ndëshkimit”, deklaroi kreu i ekzekutivit.

Këtu, nënvizoi më tej kryeministri Rama, kemi shumë për të bërë, për të trajnuar dhe edukuar ashtu si duhet të gjithë ata që kontribuojnë në trupën e inspektorëve dhe të agjentëve qeveritar dhe të gjitha institucionet e lidhura drejtpërdrejt me qytetarët./a.gjonaj/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPHENIAN – Koreja e Veriut ndërpret testet bërthamore dhe lëshimin e raketave
Artikulli tjetërForcimi i qeverisjes vendore, partneritet mes bashkive Devoll, Ura Vajgurore dhe Libohovë