TIRANË, 22 janar/ATSH/ – Në kuadër të shpalljes së thirrjes së II-të për projekt propozime të Programit Rajonal për Demokraci Lokale në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD), bashkia Shkodër në bashkëpunim me UNDP organizuan sot takimin e radhës për përcaktimin e përparësive zhvillimore mbi bazën e programeve dhe dokumenteve strategjike vendore.
Në takim ishin të pranishëm përfaqësues të shoqërisë civile që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e bashkisë Shkodër.
“Gjatë takimit fushat prioritare që u diskutuan sot janë përzgjedhur mbi bazën e dokumenteve strategjike që bashkia Shkodër disponon”, bën të ditur bashkia.
Pjesëmarrësit në takim ranë dakord që nga 5 fushat prioritare të propozuara për thirrjen e dytë të përzgjidhen 3 të tilla: mjedisi dhe zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit, rinia dhe sportet, si dhe fusha sociale e shëndeti publik. /k.s/j.p/





















