TIRANË, 21 janar /ATSH/ Duke u ndalur tek 21 Janari, Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend, theksoi se tetë vjet më parë u vranë njerëz që protestonin.
“Nuk ka pasur më parë një mundësi për ata që protestonin që të dëgjohen dhe të respektohen si janë dëgjuar e respektuar protestuesit falë nesh. Sot është 21 janari, këta vranë 8 vjet më parë dhe natyrisht janë akoma të karikuar nga ideja se drejtësia nuk do të vijë”, – theksoi Rama duke iu drejtuar opozitës, e cila braktisi sallën.
“Mendojnë se do vazhdojnë ta pengojnë e ta përmbysin Reformën në Drejtësi, që është pa kthim. 21 Janari mbetet plagë e hapur e pagjykuar deri në fund, ende ata që duhet të jenë pas hekurave janë të pagjykuar, po Shqipëria është ndryshe nga ç’ishte”, – theksoi Kryeministri Rama.
Sipas tij, gjykatësit e 21 janarit nuk janë më gjykatës. Drejtësia e re, tha ai, nuk është thjesht të pushojë nga puna, por që të ketë të akuzuar para Drejtësisë. “Do donim që kjo çështje të ishte e mbyllur, dhe që disa nga ata në këtë sallë të ishin pas hekurave, por ne nuk jemi uzurpatorë të pushteteve, por reformatorë për vendosjen e kontrollit të ligjit mbi të gjithë. Do durojmë këta dhe do të shtyjmë përpara Reformën në Drejtësi dhe gjithë reformat e tjera”, – tha ai. /j.p/























