PARIS, 16 janar /ATSH-AFP/ – Deputetët britanikë hodhën poshtë masivisht dje në mbrëmje marrëveshjen e Brexit të negociuar nga kryeministrja, Theresa May me Brukselin. Ky tekst nuk ka kënaqur as eurofilët, përkrahës të lidhjeve të ngushta me BE-në dhe as euroskeptikët, që kërkojnë një thyerje më të fuqishme me Brukselin.
Më poshtë vijojnë skenarët e mundshme pas këtij votimi, që e fut Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Europian në pasiguri vetëm dy muaj e gjysmë nga data e parashikuar për Brexit, më 29 mars.
Përpjekje e re
Asgjë nuk e pengon ligjërisht qeverinë të paraqesë edhe një herë të njëjtën marrëveshje, sërish dhe sërish, deri sa të marrë mbështetjen e deputetëve.
Për Theresa May si dhe për BE-në, marrëveshje e ndarjes e arritur pas negociatave të gjata është e vetmja dhe më e mira e mundshme.
Pa marrëveshje
Pas kundërshtimit nga Dhoma e Komuneve, një prej skenarëve të mundshëm është ai i një Brexit pa marrëveshje, të cilit i tremben veçanërisht qendrat ekonomike, kur pritet të ketë një rënie të ndjeshme të paundit dhe një rritje të fuqishme të papunësisë.
Megjithatë, kërcënimi i një “no deal” duket se u zbut javën e kaluar nga deputetët, me miratimin e një amendamenti që detyron qeverinë të paraqesë deri të hënën një “plan B” të pranueshëm.
Referendum i dytë
Mundësia e një referendumi të dytë, deri tani e përjashtuar nga Theresa May, kërkohet fuqishëm nga eurofilët me shpresën që të ndryshojë rezultati i referendumit të 23 qershorit 2016, ku fitoi Brexit, si dhe nga disa përgjegjës politikë për të zhbllokuar këtë situatë.
Megjithatë mbetet për t’u përcaktuar pyetja: “qëndrim në BE” apo “plani i Theresa May?” apo “dalje pa marrëveshje”, si dhe nuk ka asnjë garanci që referendumi i dytë do të japë një rezultat të ndryshëm nga ai i qershorit 2016.
Zgjedhje të reja
Partia Laburiste paraqiti, menjëherë pas kundërshtimit të marrëveshjes, një mocion mosbesimi kundër qeverisë, që do të debatohet sot.
Nëse fitojnë Laburistët, ata synojnë të negociojnë një marrëveshje të re me Brukselin, por do t’u duhet kohë, deklaroi Jeremy Corbyn (kreu i Laburistëve), duke folur për një shtyrje të mundshme të datës së daljes nga BE-ja.
Shtyrje e Brexit
Shtyrja e Brexit duket si alternativa më e mundshme për momentin.
Disa qindra deputetë europianë të krahëve të ndryshëm politikë janë angazhaur që prej të hënës se do të mbështesin një kërkesë të mundshme nga Londra për shtyrje. Por në këtë rast do të ketë probleme për zgjedhjet europiane që zhvillohen më 23 dhe 26 maj.
Sipas një burimi diplomatik, “një shtyrje përtej 29 marsit është i mundur por jo përtej 30 qershorit sepse në atë kohë do të krijohet Parlamenti i ri Europian”.
Megjithatë, nga ana e saj, Theresa May vlerësoi të hënën se data e Brexit nuk duhet të shtyhet./ /G.S/ a.jor.












