Ballina Flash

Basha: Cakaj i papërshtatshëm për postin e ministrit të Jashtëm

TIRANË, 10 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot në mbrëmje se “nga faktet e bëra publike, Gent Cakaj nuk është kandidatura e përshtatshme për postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme”.

I ftuar në një studio televizive, Basha foli rreth debatit të hapur sot për mosdekretimin e Gent Cakës si Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme nga Presidenti Ilir Meta.

Së pari, Basha e konsideroi të papranueshëm faktin që Cakaj ka qëndruar për 7 muaj në pozicionin e zv/ministrit, pa u pajisur me certifikatën e sigurisë nga Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar.

“Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për lënien pa certifikatë sigurie të Gent Cakës si zv.ministër i Jashtëm. Është e papranueshme që DSIK-ja e ka lejuar këtë person në zyrat e shtetit pa certifikatë sigurie. Në veçanti, në momentin që ne jemi anëtarë të NATO-s, ne nuk mund të kemi ministër të Jashtëm një person që ka thyer standardet e sigurisë. Si ministër i Jashtëm ai ka thyer ligjin për t’u pajisur me certifikatë sigurie”, – tha Basha.

Po ashtu, sipas kreut të PD-së, lë për të dyshuar fakti që Cakaj u pajis brenda 24-orëve me certifikatë sigurie. “Kjo nuk mund të bëhet pa një urdhër politik, pasi DSIK-ja nuk mund të japë një certifikatë për 24 orë”, – tha ai./e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMosdekretimi i Cakajt, Patozi: Argumentet e Metës, jo bindëse
Artikulli tjetërShkencat e Natyrës, Dekanati: Vullnet për përmbushjen e procesit mësimor brenda afateve