TIRANË, 9 janar/ATSH/- Qytetari nga Kavaja, Hetem Sulaj, u pajis me certifikatë pronësie pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.
Sulaj kishte aplikuar pranë ZVRPP Kavajë që më datë 6 shtator 2018 për pajisjen me certifikatë pronësie bazuar në kontratën e dhurimit të dorëzuar për regjistrim. Edhe pse qytetari kishte bërë një aplikim të dytë më datë 24.09.2018 nuk kishte marrë asnjë përgjigje.
Ai iu drejtua platformës më 8 nëntor dhe u pajis me certifikatën e pronësisë.
Në takimin e zhvilluar sot me koordinatorët e bashkëqeverisjes, në Kryeministri, Sulaj theksoi se “në fillim të shtatorit aplikova në ZVRPP Kavajë për një sipërfaqe trullai prej 500 m2 në Spille. Pasi kaluan procedurat paraqitem tek sporteli dhe bëra një ankesë pse më vonohet certifikata e pronësisë. Edhe pas ankesës nuk pata përgjigje. Në 8 nëntor aplikova tek platforma, ku brenda 5 ditëve u zgjidh problemi im”.
Kryeministri Edi Rama theksoi se “nuk do të lodhemi së përsërituri që askush nuk duhet të heshtë, askush nuk duhet të tërhiqet, askush nuk duhet të lejojë që kohën, energjitë dhe financat e familjes t’i shkojnë dëm në pritje të marrjes së një të drejte”.
“Gjithkush e ka rrugën tek “shqipëriaqeduama.al” dhe brenda 10 ditësh merr përgjigje”, tha Rama duke shtuar se nëse ajo që i takon është e drejtë do ta marrë atë të drejtë.
Kreu i qeverisë tha se “ne do të vazhdojmë hetimet për të parë nëse vonesa apo pengesa kanë qenë të qëllimshme dhe në këtë rast ndëshkohen punonjësit e shërbimeve që mbajnë përgjegjësi”./k.s/























