TIRANË, 21 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Në një seancë maratonë, deputetë të mazhorancës dhe opozitës diskutuan sot në Kuvend, nismën e PD për vetingun në politikë.
Ndërsa për deputetët e mazhorancës vetingu në politikë do të bëhet nga SPAK dhe BKH, instrumente tashmë të sanksionuara, për deputetët e opozitës, amendamentet e propozuara prej tyre janë të domosdoshme dhe do të shoqërohen patjetër me ligjin e detajuar që do të jetë konform udhëzimeve të Komisionit të Venecias.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, theksoi se “me një sistem drejtësie të pastruar me ngritjen e SPAK dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, instrumente tashmë të sanksionuara, do të mund të bëhet vetingu në politikë. Janë pikërisht këto dy instrumente, të cilat mund të bëjnë pastrimin e politikës”.
“Qytetarët janë aq të mençur sa ta kuptojnë se cili veting është thjesht për të gjetur një kauzë dhe për t’u kapur fort pas saj dhe cili veting është ai që i shërben mirëqeverisjes dhe drejtësisë. Nëse më shumë se 90% e shqiptarëve e mbështesin vetingun në sistemin e drejtësisë ky është vetingu që duhet. Komisioni i Venecias në opinionin e saj është shprehur kundër propozimit të PD-së, për shkak se është antikushtetues, nuk jep garanci të nevojshme për realizimin e një procesi të tillë”, – nënvizoi Gjonaj.
Kryetari i PD-se Basha u shpreh se tre vjet më parë nga kjo sallë, PD formuloi zgjidhjen e ligjit të dekriminalizimit, sot kërkojmë të bëjmë vetingun e politikanëve, që askush të mos jetë mbi ligjin. “Sot në Shqipëri kërkojmë të bëjmë vetingun e politikanëve. Sot, vetingu shkon te polici më i thjeshtë, ndërsa politikanët duan të jenë mbi ligjin. Shqiptarët e kuptojnë se sot nga kjo sallë vetngu do të bëhet, sepse do merret vesh cilët politikanë janë në anë të vetingut të politikës dhe cilët jo”, – tha Basha.
Duke marrë fjalën në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se “për vetingun në politikë ka vetëm dy institucione të gjithëpranuara dhe ato janë SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit”. Ndërkohë opozita, sipas Ballës, pretendon se kërkon vetingun e politikanëve, por nga ana tjetër nuk kërkon hetimin e pasurisë apo të familjarëve. “Ne nuk mjaftohemi vetëm me largimin e politikanit të korruptuar nga politika, por garantojmë që të merren masa ndëshkuese. Si mund të plotësohet pritshmëria e shqiptarëve kur kërkohet që politikanët e korruptuar të ikin nga politika pa u përballur me drejtësinë”, – tha Balla. “Nëse do veting politik opozita, përgjigjja është e qartë, SPAK dhe BKH për t’i bërë hetim penal dhe pasuror politikanëve dhe zyrtarëve të këtij vendi, pa dallim krahu politik”, – tha deputeti i PS-së, Ulsi Manja, duke folur sot në Kuvend.
Manja shtoi se opinionet juridike duhen lexuar siç duhet, sepse drejtësia ka rregullat e saj strikte dhe duhen zbatuar me korrektësi për të mbrojtur sistemin juridik dhe kushtetues të vendit nga dëshirat e shfrenuar të politikës për pushtet.
Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Edmond Spaho tha se kërkesa e PD-së për Vetingun në politikë është legjitime. Spaho theksoi se “Komisioni i Venecias tha tri gjëra: Situata është kritike dhe institucionet janë vënë në shërbim të krimit. Kërkesa e e PD-së është legjitime dhe e treta, cënimi i mandatit të të zgjedhurit nuk është cënim i demokracisë, por është mbrojtje e demokracisë”.
Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi tha se “kjo nisëm kufizon të drejtën për tu zgjedhur për personat që kanë lidhje me persona problematike të bllokohet. Opozita kërkon të votojë përmes një mekanizmi edhe drejtuesin e KLGJ Dhe KLP dhe nuk thotë asnjë fjalë se çfarë thotë për familjarët e tyre. Kuvendi i Shqipërisë dhe mbledhja e përbashkët ka ndjekur një procedurë transparente”.
Deputetja Blerina Gjylameti, tha se “çdo nismë që opozita ka marrë këto 6 vitet e fundit është si një rrugëdalje apo për të fshehur zullumet në 8 vitet në pushtet”. “Mos vallë edhe këtë nismë, ashtu sikurse përdori protestën e studentëve për të shpëtuar mandatet, opozita e do për të anashkaluar organet e reja të drejtësisë. Nisma do sillte mundësi për dublim në mënyrë të papërshtatshme”, – tha Gjylameti.
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi tha se “Venecia u shpreh se është i domosdoshëm dhe legjitim vetingu në politikë për t’i hapur rrugë këtij procesi njëlloj si me dekriminalizimin”. Amendamentet e PD-së, tha Bylykbashi, synojnë mbylljen e një unaze ku politikanët i hapin derën nga brenda kriminelëve. Nuk mund t’i bëni veting vetëm gjyqtarit, tha Bylykbashi, duke shtuar se “nga ana tjetër janë politikanët që i hapin portën kriminelëve”.
Amendamentet kushtetuese për vettingun janë depozituar nga opozita në parlament në datën 7 shtator dhe përfshijnë vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar të zyrtarëve të lartë shtetërorë. /a.g/























