TIRANË, 20 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kuvendi rrëzoi sot me 76 vota pro dhe 22 vota kundër dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10997, datë 13.12.2018 “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”.
Po ashtu me 76 pro, Kuvendi i Shqipërisë votoi edhe projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 9918, datë 19.5.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”.
Duke marrë fjalën pas votimit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se “ky është një ligj që heq roamingun me Kosovën dhe krijon një treg të përbashkët të komunikimit mobile mes dy vendeve tona”.
“Nuk di arsyen se pse opozita bojkoton. Rri deri dy minuta më parë dhe largohet në momentin që na afron më shumë me Kosovën. Ky është një hap i madh drejt aspiratës sonë të përbashkët, por kjo është zgjedhja e opozitës”, – tha Balla.
Kuvendi miratoi edhe projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9573, datë 3.7.2006, “Për autoriparimin, shitblerjen, depozitimin e mjeteve rrugore me motor, të rimorkiove dhe pjesëve të tyre të dala jashtë përdorimit ose të braktisura dhe për veprimtaritë që lidhen me to”, të ndryshuar.
Po ashtu, Kuvendi miratoi me 76 vota pro projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 8328, datë 16.4.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve”, të ndryshuar.
Me 76 vota pro, Kuvendi miratoi edhe projektligjin “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7829, datë 01.06.1994 “Për noterinë”, të ndryshuar, si dhe projektligjin “Për kadastrën”.
Ndërsa projektligji “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” (pdf) u shty për në sesionin e ardhshëm parlamentar.
Kuvendi miratoi po ashtu edhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 “Për policinë e shtetit”, të ndryshuar si dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Eurojust-it”.
Po ashtu, me 73 vota pro, Kuvendi rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11015, për “Tatimin mbi të ardhurat”, ndërsa me 71 vota pro u rrëzua edhe dekreti nr. 10929, datë 5.11.2018 “Për propozimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”, të Vitore Tushës.
Kuvendi miratoi po ashtu edhe projektvendimin “Për një shtesë dhe ndryshim në strukturën dhe organikën e Autoritetit të Konkurrencës”.
Në seancën e sotme Kuvendi miratoi edhe projektvendimin “Për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”.
Kuvendi miratoi kandidaturat e Suela Popës, Edlira Luçit, Ritvan Bodes, Artan Hoxhës dhe Luljeta Minxhozit, ndërsa do të zhvillojë nesër seancë dëgjimore me Arben Malajn.
Kuvendi vendosi të shtyjë për nesër projektvendimin “Për lirimin nga detyra të anëtarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, Zylyftar Bregu”, ndërsa miratoi projektvendimin “Për Miratimin e Manualit të Monitorimit Vjetor dhe Periodik”. /r.e/























