TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/- Reformat e ndërmarra vitet e fundit për thjeshtimin e procedurave kanë ndikuar në përmirësimin e klimës dhe rritjen e besueshmërisë nga biznesi në vend. Në këtë kuadër Administrata Doganore Shqiptare ka thjeshtuar mjaft procedura dhe ka eliminuar barriera për sipërmarrjet shqiptare dhe ato kosovare.
Këto ishin deklaratat që u theksuan gjatë një takimi të zhvilluar sot në Tiranë, nga Unioni i Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë dhe Oda Ekonomike e Kosovës, me përfaqësues të biznesit dhe Administratës Doganore Shqiptare. Në takim u diskutua mbi problematikat që hasen në përditshmërinë e sipërmarrjes, por edhe risitë që janë bërë gjatë këtyre viteve.
Nëndrejtori i Përgjithshëm i Doganave Shqiptare, Armand Reveli, informoi sipërmarrësit mbi reformat e ndërmarra deri më tani, si dhe risitë që pritet të zbatohen gjatë vitit të ardhshëm, si “Nënshkrimi elektronik” dhe “Manifesti elektronik”.
Ndërkohë që u theksua, se momenti i dyfishimit të tarifave me Serbinë duhet të shfrytëzohet nga sipërmarrësit e dy vendeve tona për të rritur shkëmbimet tregtare.
Gjithashtu u informua biznesi që në kuadër të bashkëpunimit mes dy qeverive, si dhe në zbatim të vendimeve të dy qeverive, janë ngritur e po punojnë intensivisht grupet e punës nga Administratat respektive mbi procedurat teknike për hapjen e zyrës Doganore të Republikës së Kosovës në portin e Durrësit. Kjo zyrë do të shërbejë për të kryer të gjitha procedurat doganore të tranzitit. Hapja e kësaj zyre do të lehtësojë tregtinë, lëvizjen e shpejtë të mallrave dhe të pasagjerëve. Kjo pritet të reduktojë edhe kostot e bizneseve, si dhe do të ndihmojë që të rritet ekonomia e të dyja shteteve.
Gjatë këtij takimi sipërmarrësit u njohën edhe me nismën e Doganës së Morinës për të lehtësuar sa më shumë biznesin me anë të deklarimit të thjeshtuar.
Takimi i zhvilluar midis bizneseve dhe përfaqësuesve të doganave të të dyja vendeve është i pari i organizuar nga Dhoma e përbashkët e Tregtisë Shqipëri-Kosovë, e cila u lançua gjatë mbledhjes ndërqeveritare në 26 Nëntor në Pejë. e.xh/j.p/






















