TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/ Një tjetër çerdhe e re po ndërtohet në qytetin e Elbasanit, një investim i “Agenzia Italiana per la Cooperazione Allo Sviluppo”, Save the Children dhe Bashkisë së Elbasanit.
E ndërtuar në pjesën jugore të qytetit, çerdhja do t’i shërbejë komunitetit të kësaj zone duke parashikuar të gjitha shërbimet që duhet të kenë institucione të tilla.
Përveç infrastrukturës e cila përfshin, ngrohje, kuzhinën, këndet e lojërave, çerdhja e re do të ketë gjithashtu dhomën e psikologut, dhomën e nënave, ku këto të fundit të ushqejnë foshnjat, pra një standard i cili duhet të përhapet në të gjitha çerdhet dhe kopshtet.
Duke parë nga afër punimet në këtë çerdhe, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se “ky është një projekt i cili përmban në vetvete të gjithë asistencën e domosdoshme për fëmijët”.
“Edhe kur vjen fjala për projekte me organizata të rëndësishme ndërkombëtare, apo qeveri partnere, Bashkia Elbasan zë një rol lider në këtë proces, po të kemi parasysh një projekt me të cilin Bashkia e Elbasanit përmbush një kërkesë të kahershme të banorëve të kësaj zone të Elbasanit të cilët prej vitesh kërkonin një çerdhe”, tha ai.
Aktualisht në Bashkinë e Elbasanit funksionojnë 3 çerdhe, ndërkohë që nisur nga kërkesat në rritje të qytetarëve, kjo bashki është e angazhuar në shtimin e këtij shërbimi dhe ndërtimin e të tjera çerdheve, tashmë me standardet e kësaj çerdheje./m.m/ /a.g/






















