TIRANË, 12 dhjetor /ATSH-A. Fortuzi/- Policia e Fierit në bashkëpunim me qytetarët ka shpëtuar një grua e cila po rrezikonte të mbytej, pasi e kishte marrë rrjedha e lumit.
Sipas njoftimit të Policisë së Fierit, ditën e martë, rreth orës 16:15, në vendin e quajtur “Çeligrad”, 2 punonjës policie konstatuan se në ujërat e lumit Seman, ishte duke u mbytur shtetasja M.T., 51 vjeçe, banuese në Fier.
Menjëherë punonjësit e policisë shkojnë në ndihmë të kësaj shtetaseje dhe në bashkëpunim me qytetarët bëjnë të mundur shpëtimin e saj. Shtetasja M.T. u dërgua me ambulancë në Spitalin Rajonal Fier dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje. a.g/











