TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ – Punonjësit e mirëmbajtjes po përkujdesen çdo ditë për gjelbërimin e pronave publike që qytetarët e kryeqytetit të kenë mjedise çlodhëse të pastra për çdo grupmoshë.
Një veprim aspak i civilizuar ka ndodhur te këndi i lojërave te Parku i Madh i Liqenit ku ishin zhgarravitur muret dhe objekte të tjera që shërbejnë si vend argëtimi për fëmijët.
Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit i ka bërë apel qytetarëve për të mbajtur pastër mjedisin.
”Krahas proceseve të përditshme e të nevojshme, ekipi ynë i mirëmbajtjes ndërhyri me lyerje te Këndi i Lojërave te Parku i Madh ku disa të rinj kishin zhgarravitur me bojë muret anësore, tavolinat e ping-pongut dhe rrugët e objekte të tjera në park. Sjellje të tilla janë dënueshme dhe rasti është raportuar te instancat përkatëse”, bën apel APR. /a.a/





















