TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/- Komisioni parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin diskutoi sot projektligjin “Për Kadastrën”.
I pranishëm në komision kreu i ALUIZNI-i, Artan Lame, vlerësoi projektligjin në fjalë si rregullator në garantimin e sigurisë në marrëdhëniet juridike të pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme.
Rëndësia e projektligjit në “planin e reformës” qëndron në faktin se ai parashikon krijimin, statusin dhe mënyrën e organizimit të institucionit të ri, që do të trajtojë të gjitha proceset e lidhura me pasuritë e paluajtshme, si dhe përmban dispozitat e reja ligjore që do të rregullojnë regjistrimin e pasurive të paluajtshme dhe mënyrën e administrimit të regjistrit
publik (kadastrës), tha Lame.
Ndër këto dispozita, vijoi ai, gjenden edhe rregullat për trajtimin e mbivendosjeve të titujve, si një ndër problemet më të mprehta të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe të çështjeve të pronësisë në tërësi.
“Gjithashtu, pjesë të rregullimeve që parashikon projektligji janë edhe dispozitat për përmirësimin e hartës kadastrale, që përcaktojnë mënyrën e korrigjimit të pasaktësive dhe gabimeve materiale në të, si një tjetër çështje madhore që kërkon domosdoshmërisht zgjidhje”, – theksoi Lame.
Lame tha se procesi 24-vjeçar i regjistrimit të pronës jo vetëm që ka qenë difektoz, por ka zvarritur shumë çështje ndër vite.
“Të mbyllet një herë e mirë kapitulli i pronës. Procesi 24-vjeçar i regjistrimit të pronës ka qenë difektoz, është zvarritur për vite. Gjendemi me 4.4 milionë pasuri nga të cilat, 2.5 milionë rezultojnë me probleme”, theksoi Lame. /e.xh/j.p/











