Ballina Bota

AUSTRI – Rumania shprehet e gatshme për marrjen e presidencës së BE-së

VJENË, 27 nëntor /ATSH-AFP/ – Rumania shprehet e gatshme që të garantojë, duke filluar nga janari, presidencën e radhës së Bashkimit Europian pavarësisht trazirave politike të brendshme dhe të mosmarrëveshjeve të saj me Brukselin në lidhje me reformat gjyqësore, deklaroi sot ministri rumun i Çështjeve Europiane, George Ciamba.

“Ne jemi të përgatitur”, garantoi George Ciamba në një intervistë për të përditshmen austriake, Die Presse.

“Shpresoj se në fund të fundit, të gjithë do të përfshihen. Kjo detyrë kërkon bashkëpunimin e të gjitha institucioneve”, shtoi ai ndërkohë që qeveria rumune socialdemokrate është në një përplasje me shefin e shtetit, që është i qendrës së djathtë, Klaus Iohannis.

Rumania, një prej vendeve më të varfëra të BE-së, do të garantojë që prej janarit presidencën gjashtëmujore të Këshillit të BE-së, që koordinon axhendën dhe zhvillimin e punimeve të shteteve anëtare. /G.S/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKonstituohet nënkomisioni për Administratën Publike
Artikulli tjetërFOTO/ 54 piktorë shqiptarë “sjellin” Krujën dhe Skënderbeun