TIRANË,27 nëntor /ATSH- I. Vata/ – Konstituohet nënkomisioni për Administratën Publike sot në mbledhjen e tij të parë.
Në krye të nënkomisionit është Alket Hyseni që përfaqëson mazhorancën, ndërsa opozita përfaqësohet nga nënkryetarja Dhurata Çupi.
Ky nënkomision përbëhet prej shtatë anëtarësh, të cilët janë: kryetari i nënkomisionit Alket Hyseni, nënkryetare Dhurata Çupi dhe anëtarët Adelina Rista, Almira Xhembulla, Gent Strazimiri, Klotilda Bushka, Nasip Naço.
Në fillim të mbledhjes, kryetari i këtij nënkomisioni Alket Hyseni u shpreh se bazuar në rregulloren e Kuvendit, nënkomisioni quhet i konstituuar në mbledhjen e tij të parë me më shumë se gjysmën e anëtarëve.
“Bazuar në vendimin numër 14 të vitit 2008 të Kuvendit të Shqipërisë, është ngritur nënkomisioni për Administratën Publike që është në përbërje të komisionit të përhershëm parlamentar të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut”, theksoi Hyseni. /j.p/



















