Manastirliu në Shkodër: Hapet shtëpia e parë për të rinjtë pa kujdes prindëror
Manastirliu në Shkodër: Hapet shtëpia e parë për të rinjtë pa kujdes prindërorhttp://ata.gov.al/2018/11/24/manastirliu-ne-shkoder-hapet-shtepia-e-pare-per-te-rinjte-pa-kujdes-prinderor/“Vëmendja jonë është te ofrimi i shërbimeve dhe përkujdesit maksimal për fëmijët e qendrave tona sociale por ishte koha për të ndërmarrë politika të reja sociale, për të sjellë shërbime të reja alternative në përgjigje të nevojës për transformimin e institucioneve të përkujdesit, me synim ofrimin e shërbimeve sa më afër tipologjisë shtëpi – familje”, tha Manastirliu.
Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E shtunë, 24 Nëntor 2018
Shkodër, 24 nëntor/ATSH/- Një qendër e re rezidenciale e modelit shtëpi-familje, e dedikuar për të rinjtë 16-18 vjeç pa kujdes prindëror u hap për herë të parë në Shkodër.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi qendrën e re për të rinjtë që vijnë nga Shtëpitë e Fëmijëve nga e gjithë vendi, e cila është e para qendër e kësaj tipoligjie në vendin tonë.
“Vëmendja jonë është te ofrimi i shërbimeve dhe përkujdesit maksimal për fëmijët e qendrave tona sociale por ishte koha për të ndërmarrë politika të reja sociale, për të sjellë shërbime të reja alternative në përgjigje të nevojës për transformimin e institucioneve të përkujdesit, me synim ofrimin e shërbimeve sa më afër tipologjisë shtëpi – familje”, tha Manastirliu.
Organizimi i shërbimit rezidencial në institucione, sipas grupmoshës 16-18 vjeç, në apartamente shtëpi – familje, u ndërmor si hap nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pasi deri më sot fëmijë të moshave të ndryshme ndanin të njëjtën hapësirë, çka cënonte krijimin e kushteve optimale për një zhvillim normal të fëmijës.
“Shtëpia që sot po e inaugurojmë me 10 banorët e parë, por në vijim do të mirëpresë të gjithë të rinjtë e shtëpive të tjera të fëmijëve në gjithë vendin, pasi të mbushin moshën 16 vjeç, ofron të gjitha shërbimet e nevojshme për edukimin, zhvillimin e aftësive dhe përgatitjen e të rinjve pa kujdes prindëror drejt një jetese të pavarur”, tha Manastirliu.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të vijojë me politikat mbështetëse për grupet në nevojë, duke financuar me buxhetin e vitit 2019 më shumë se 3 milion dollarë për programin e përkujdesit social në 29 shtëpitë e foshnjës, fëmijës, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuar. /a.g/































