Ballina Aktualitet

Rritja ekonomike parashikohet 4,5% për vitin 2019

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ – Vëmendja ndaj qytetarëve reflektohet më shumë se kurrë në buxhetin e 2019-ës, ku parashikohet rritje ekonomike me 4,5%, pas rritjes ekonomike të këtij viti me 4,3% e konfirmuar edhe nga FMN dhe Banka Botërore.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj deklaroi nga seanca plenare e së enjtes se rritja ekonomike ka ardhur si pasojë e rritjes së investimeve publike dhe relaksimit fiskal.

“Nëse do të përkufizoja dy tiparet e buxhetit 2019, ka një ngjyrë intensive të konsolidimit social, të përshpejtimit të rritjes ekonomike por mbi të gjitha të rritjes së investimeve dhe uljen e mëtejshëm të borxhit publik. Së dyti, ka një profil të konsoliduar tejet social të bazuar në politikat e reja të rritjes së pagave dhe rritjes së vazhdueshme të relaksimit fiskal”, tha ai.

Sipas tij, shifrat që tregojnë rritjen ekonomike janë të dukshme pasi në vetëm 4 vite janë punësuar 35% e totalit të vendeve të punës.

“Për vitin 2018, rritja ekonomike ka vazhduar e përshpejtuar përgjatë këtij viti. Rritja është tek 234 mijë të punësuar të rinj dhe në 4 vite mbi 35% e totalit të vendeve të punës. Rritja po shkon drejt 4,5% dhe këtë vit do të jetë rreth 4,3%. Kjo rritje ekonomike në gjysmën e parë të 2018 është gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme”, – tha Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj përcolli edhe mesazhe për opozitën e cila vijon me bojkotin në parlament. “Opozita të mos mbivendosë interesa e drejtpërdrejta të vetat, por të vendosë interesat e qytetarëve. Opozita për fat të keq nuk na çudit më”, tha ai.

Sipas ministrit, buxheti i 2019 reflekton më shumë se kurrë vëmendjen ndaj qytetarëve.

z.tosku/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAbuzuesit e Unazës kërkojnë dëmshpërblim 100% për pronat që nuk janë të tyret
Artikulli tjetërPër herë të parë pas 28 vitesh, zerohet TVSH-ja për inputet bujqësore