Ballina Bota

EBA – Një britanik dënohet me burgim të përjetshëm për spiunazh

DUBAI, 21 nëntor /ATSH-AFP/ – Britaniku, Matthew Hedges u dënua të mërkurën me burgim të përjetshëm nga gjykata federale e Abu Dhabit për spiunazh në përfitim të një vendi të huaj, njoftoi një zëdhënëse e familjes së tij, ndërsa Londra shprehet “thellësisht e tronditur”.

Docenti në universitetin Durham, në verilindje të Anglisë, u ndal në aeroportin e Dubait më 5 maj, pasi kishte vajtur në Emiratet Arabe të Bashkuara për të zhvilluar takime mbi politikën e huaj dhe strategjinë e vendit në aspektin e sigurisë.

“Ne mund të konfirmojmë se ai u dënua me burgim të përjetshëm”, deklaroi zëdhënësja.

“Seanca zgjati më pak se pesë minuta dhe avokati (mbrojtës) nuk ishte i pranishëm”, shtoi ajo.

Sipas medias së EBA-së, Hedges ka 30 ditë kohë për të çuar në apel këtë vendim.

“Jam thellësisht i tronditur dhe zhgënjyer”, ka reaguar nga ana e tij ministri britanik i Punëve të Jashtme, Jeremy Hunt. /G.S/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMasterplan për trajtimin e mbetjeve, Tirana dhe Durrësi do të trajtohen si një zonë e vetme 
Artikulli tjetërPërmirësim në sektorin e energjisë, Gjiknuri: Diversifikojmë burimet