Mësuesja nga Librazhdi, kontratë definitive pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes
Mësuesja nga Librazhdi, kontratë definitive pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjeshttp://ata.gov.al/2018/11/21/mesuesja-nga-librazhdi-kontrate-definitive-pas-ankeses-ne-platformen-e-bashkeqeverisjes/Mësuesja Klodiana Alla nga Librazhdi, e cila kishte mbetur e papunë, pasi klasa e saj në shkollën ku punonte ishte mbyllur, pas ankesës në platformën “shqiperiaqeduam.al”, ka një kontratë definitive si mësuese në një nga fshatrat e Librazhdit. Alla ishte punësuar në vitin 2015 përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”, por e mbetur e papunë për shkak të uljes së numrit të nxënësve, mësuesja e Gjuhë-Letërsisë shkroi ankesën e saj në platformën shqipëriaqëduam.al.
Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E mërkurë, 21 Nëntor 2018
TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ – Mësuesja Klodiana Alla nga Librazhdi, e cila kishte mbetur e papunë, pasi klasa e saj në shkollën ku punonte ishte mbyllur, pas ankesës në platformën “shqiperiaqeduam.al”, ka një kontratë definitive si mësuese në një nga fshatrat e Librazhdit.
Alla ishte punësuar në vitin 2015 përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”, por e mbetur e papunë për shkak të uljes së numrit të nxënësve, mësuesja e Gjuhë-Letërsisë shkroi ankesën e saj në platformën e bashkëqeverisjes, “shqiperiaqeduam.al”.
Brenda 10 ditësh rasti u trajtua nga Ministria e Arsimit dhe sot qytetarja ka një kontratë definitive si mësuese në një nga fshatrat e Librazhdit.
Në takimin e zhvilluar sot me koordinatorët e bashkëqeverisjes, në Kryeministri, mësuesja Alla u shpreh se ishte diplomuar në 2009 për Gjuhë-Letërsi. “Nga 2009 në 2015 kam qenë e papunë, me pak muaj si zëvendësuese. Në 2015 u rendita e katërta në portal, u punësova në Librazhd, por me rënien e numrit të nxënësve mbeta e papunë duke m’u premtuar se në shtator do të filloja punë definitive, por nuk gjeta zgjidhje”, tha ajo.
“Duke parë çdo ditë që Kryeministri i jepte ndihmë çdo shtrese të popullit mora iniciativën të provoj platformën. Dërgova një ankesë dhe mora përgjigje e për 10 ditë u emërova definitive në fshatin Kotodesh të Librazhdit”, tha Alla.
Kryeministri Edi Rama theksoi se “për fat të mirë kemi më pak raste që nxjerrin problematika ende ekzistuese fatkeqësisht për mësuesit pasi në tërësinë e vet i gjithë sistemi është futur në një regjim të ri me portalin “Mësues për Shqipërinë””.
“E vërteta është që sistemimi nëpërmjet lëvizjes paralele është një nga aspektet që ka akoma problematika, por nga njëra anë portali i bashkëqeverisjes funksionon më së miri për të gjithë ata mësues që njësoj si Klodiana ndeshin me këto problematika dhe i drejtohen platformës “shqiperiaqeduam.al”, nënvizoi ai.
Kreu i qeverisë rinënvizoi edhe një herë se në janar fillon një fazë e re e funksionimit të sistemimit të mësuesve lidhur me pranimet në lëvizjet paralele e kështu me radhë. Sot portali nuk është thjesht një mekanizëm, por ligj dhe transformimi i zyrave dhe drejtorive arsimore në një shërbim të ri që shkëput përfundimisht subjektivizmin e drejtuesve të zyrave me funksionimin automatik të sistemit falë dixhitalizimit sot do të sjellë që ne të kemi ende më pak raste problematike. “Ndërkohë meritokracia do të jetë e garantuar, sikur edhe transparenca, në mënyrë që çdokush që punon në sistemin e mësimdhënies të jetë në vendin e vete dhe askush të mos zërë vendin e tjetrit”, tha ai. /k.s/




















