TIRANË, 16 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Toleranca dhe harmonia fetare janë vlerat e patjetërsueshme të Shqipërisë, ndërkohë që qeveria është angazhuar po ashtu për plotësimin e gjithë kuadrit ligjor kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Në fjalën e mbajtur gjatë sesionit të 2-të të Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe, zv.kryeministrja Senida Mesi nënvizoi rëndësinë e faktit se ky takim mbahet sot në Shqipëri.
“Shqipëria ka shumë për të folur për tolerancën dhe paqen. Ne jemi krenarë për tolerancën, harmoninë dhe bashkëjetesën fetare”, tha Mesi.
Ajo theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të këtyre vlerave, në mënyrë që edhe brezat e rinj të jenë të kujdesshëm me këtë trashëgimi të vyer.
“Marshimi i solidaritetit” në sheshin “Republika”, në Paris, ku Kryeministri Edi Rama marshoi krah për krah klerikëve fetarë shqiptarë, sipas Mesit, “i dha botës një mesazh të vyer”.
zv.Kryeministrja veçoi po ashtu edhe masat që ka marrë qeveria shqiptare kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
“Në vitin 2015 u krijua rrjeti rajonal i koordinatorëve për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Vendi ynë ka po ashtu një rol aktiv në promovimin e objektivave të qëndrueshme të Axhendës 2030, duke besuar se realizimi i atyre objektivave sjell një ekonomi konkuruese dhe të qëndrueshme si dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, tha Mesi. /a.g/





















