Ballina Flash

Prefekti Jole pret diplomatët francezë: Bashkëpunim për ngritjen e Liceut Francez në Korçë

TIRANË, 13 shkurt/ATSH/ Në Prefekturën e Korçës u zhvillua sot takimi i katërt i Komitetit Pilotues për bashkëpunim mes institucioneve qendrore e vendore me ekspertin e qeverisë franceze, Jérôme Lebars, i atashuar në institucionin e Prefekturës, për të punuar lidhur me projektin e çeljes së Liceut Francez në Korçë.

Në kuadër të këtij takimi, Prefekti i Korçës, Nertil Jole priti në zyrë ambasadoren e Republikës së Francës në Tiranë, Catherine Suard dhe Pierre Raynaud, Këshilltarin për Bashkëpunimin dhe Kulturën në Ambasadën Franceze në Shqipëri.

Për realizimin e detyrës së ngarkuar nga Kryeministri, institucioni i Prefektit po mbështet ekspertin francez dhe asiston nga afër procesin, duke siguruar ndihmën dhe bashkëpunimin e institucioneve në nivel qendror dhe vendor.

Jole bëri të ditur se në takimin e planifikuar të Komunitetit Politik Europian që do të zhvillohet në Tiranë në datë 16 Maj me liderët europianë, Presidentit Emmanuel Macron do t’i prezantohet edhe ecuria e këtij projekti të rëndësishëm për qytetin tonë.

“Ky projekt është vazhdë e traditës së miqësisë më të mirë mes dy vendeve tona dhe do të zgjerojë hapësirën për një perspektivë të re për shumë të rinj të qarkut tonë e më gjerë, të cilët në të ardhmen mund të zgjedhin një shkollë elitare për arsimin e tyre të mesëm”, vlerësoi prefekti Jole.

/m.m/a.f/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Shërbimi ORL ofron implant koklear dhe terapi logopedie për fëmijët që nuk dëgjojnë
Artikulli tjetërKIEV – Zelensky vendos sanksione ndaj ish-presidentit Poroshenko