Ballina Ekonomi

Samiti i Inteligjencës Artificiale, Ibrahimaj: Shqipëria angazhohet të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë

TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ Samiti i Inteligjencës Artificiale (IA), i bashkëkryesuar nga presidenti francez, Macron dhe kryeministri i Indisë, Modi, bashkoi mbi 100 shtete, organizata ndërkombëtare dhe liderë të teknologjisë si Google, Microsoft dhe OpenAI për të diskutuar qeverisjen dhe zhvillimin e IA në nivel global.

E pranishme në këtë takim, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj e cilësoi, një lajm i shkëlqyer për ekosistemin e inovacionit dhe sipërmarrjen.

“Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se BE-ja synon të mobilizojë 200 miliardë euro për investime në AI, ku 50 miliardë euro do të jenë fonde nga BE-ja, ndërsa pjesa tjetër do të vijë nga ofruesit e teknologjisë, investitorët dhe industria. Ky është një hap i madh që krijon mundësi të reja për bizneset, startup-et dhe sektorin e teknologjisë, duke nxitur rritjen ekonomike dhe integrimin në tregun europian të IA”, shkroi Ibrahimaj në rrjete sociale.

Ibrahimaj vuri në dukje se, “Shqipëria angazhohet për të forcuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, për të përfituar nga këto investime strategjike dhe për të siguruar që bizneset shqiptare të kenë akses në teknologjitë më të avancuara”.

“Integrimi i IA në ekonominë tonë është një mundësi e jashtëzakonshme për të rritur konkurrueshmërinë, për të krijuar vende të reja pune dhe për të pozicionuar vendin tonë si një qendër inovacioni në rajon”, tha ajo.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTEL AVIV – Netanyahu: Nëse pengjet nuk lirohen deri të shtunën, atëherë do të rifillojmë sulmet në Gaza
Artikulli tjetërSHBA – Trump dërgon sekretarin e Thesarit, Bessent në Ukrainë për bisedime