TIRANË, 16 janar/ATSH/ Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri, WHO Albania bën të ditur se mbrëmjen e kaluar u krye evakuimi mjekësor për ofrimin e kujdesit kritik në Shqipëri për një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza.
Fëmija aktualisht po merr kujdesin mjekësor në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, ndërsa babai, vëllai dhe motra janë akomoduar në qendrën e refugjatëve në Babrru të Tiranës.
OBSH thotë se së bashku me partnerët mbështet koordinimin dhe fuqizimin e një mekanizmi standard, transparent të evakuimeve mjekësore.
Në aeroport, së bashku me zyrtarë të tjerë, për të pritur familjen ishte i pranishëm edhe Gazmend Bejtja, oficer i ngarkuar i OBSH në Shqipëri.
“Angazhimi i Shqipërisë për të mbështetur ata në nevojë është një shembull i rëndësishëm solidariteti. Meqë shumë pacientë nga Gaza ende kërkojnë kujdes urgjent mjekësor, përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare mbeten vendimtare”, deklaron OBSH në Shqipëri.
/r.e/a.f/






















