Ballina Flash

Tri etapat e para të “Giro d’Italia” në Shqipëri, Rama: Shtysë për rritjen e turizmit, ekspozohemi tek 800 milionë teleshikues


TIRANË, 13 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se nisja e madhe e “Giro D’Italia” në Shqipëri është edhe një tjetër shtysë e veçantë për rritjen e mëtejshme të industrisë sonë të turizmit, ndërsa solli në vëmendje se Shqipëria do të ekspozohet në sytë e 800 milionë teleshikuesve.

Në një videomesazh pak para nisjes në Romë, për prezantimin publik të “Giro d’Italia”, Kryeministri u ndal te rëndësia e këtij aktiviteti sportiv për vendin tonë.

Ndërsa e cilësoi si një ndër ngjarjet më të mëdha vjetore të sportit, e cila transmetohet nga 200 televizione të botës, Rama theksoi se “këtë vit Shqipëria është zgjedhur si vendi i Nisjes së Madhe (La Grande Partenza), ku do të zhvillohen tri etapat e para”.

“Për tri ditë rresht bukuritë e vendit tonë, Durrësi e Kruja me historinë e me peizazhet e tyre të mrekullueshme; Tirana me zhvillimin e saj mbresëlënës; Vlora me luginën e lumit të saj, me majën e Llogorasë, me ujërat e Jonit dhe të Adriatikut, do të ekspozohen në sytë e 800 milionë teleshikuesve. Pa llogaritur dhjetëra-mijëra tifozë të çiklizimit që do të vijnë në Shqipëri për të ndjekur nga afër idhujt e tyre”, u shpreh Rama.

Kjo ngjarje e madhe sportive ku kandidatura e Shqipërisë u përzgjodh për edicionin e Xhiros së këtij viti, sipas Kryeministrit Rama “është një tjetër pasqyrë kuptimplotë e rritjes së popullaritetit ndërkombëtar të vendit tonë”.

Rama theksoi se “deri para disa vitesh të tilla ngjarje dhe zhvillime as mund të imagjinoheshin”.

‘Nisja e Madhe e Giro D’Italia në Shqipëri është edhe një tjetër shtysë e veçantë për rritjen e mëtejshme të industrisë sonë të turizmit, që është një industri e re, por që sapo e mbylli vitin e shkuar me thuajse 12 milionë turistë. Shqipëria po bëhet dita-ditës dhe ngjitja e saj drejt majës së 2030-ës në BE vazhdon përditë, e pandërprerë dhe e pandalshme”, u shpreh Rama.

/j.p//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVotimi nga jashtë, Celibashi: 10 000 regjistrime, 1 662 të miratuara
Artikulli tjetërBraimllari: Jam i majtë, dua të angazhohem me PS; PL: Është marrë peng nga SPAK