Ballina Flash

Berisha me kryetarët e degëve: Grupe pune për verifikimin në lista të votuesve nga jashtë vendit

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një mbledhje me kryetarët e degëve të kësaj partie.

Berisha u shpreh së fjalën e tij se, zgjedhjet e 11 majit janë unike sepse për herë të parë gjysma e elektoratit është jashtë vendit.

“Këto zgjedhje për çdonjërin prej nesh janë unike, janë të parat zgjedhje të këtij lloji në 34 vite. Këto janë zgjedhjet e para në të cilat gjysma e elektoratit është në Shqipëri, gjysma e elektoratit është nëpër botë. Dhe ridimensionimi, përshtatja e veprimtarisë sonë me këtë realitet të ri është i një rëndësie vendimtare për fitoren e opozitës më datën 11 maj”, tha Berisha.

Sipas tij, forcat politike në Shqipëri startojnë përpjekjet dhe fushatën elektorale jashtë Shqipërisë nga mungesa e plotë e eksperiencës.

Mirëpo, shtoi Berisha, “po të kemi parasysh shpërndarjen e elektoratit dhe të disa kushteve të veçanta në Shqipëri, fushata jonë elektorale me shqiptarët jashtë Shqipërisë është e një rëndësie absolutisht të njëjtë me fushatën brenda vendit”.

Kreu i PD e cilësoi si një arritje të madhe faktin që gjysma e shqiptarëve do ushtrojnë të drejtën kushtetuese të votimit, në një kohë që nuk e ushtronin, dhe shtoi ai, “kjo nuk ndodhte me asnjë komb tjetër në rajon, përveçse me ne”.

“Ne po bëjmë përpjekje të mëdha që ky proces të jetë proces transparent, i ndershëm”, tha Berisha, por, natyrisht, shtoi ai, “ne jemi për një proces transparent, një proces i cili, përjashton manipulimin dhe garanton numërimin e ndershëm dhe korrekt të asaj vote”.

Kreu i PD, u shpreh se, asgjë nuk do të ndikojë më shumë në fitoren e opozitës se vota e mijëra opozitarëve që kanë ikur jashtë.

“Që në udhëzimin e parë, ju keni marrë udhëzim që të krijoni grupet e punës për verifikimet e tyre në çdo qendër votimi. Verifikimi dhe identifikimi i emigrantëve në listat e votimit është procesi më themelor i të gjithë angazhimit tonë për votën e shqiptarëve jashtë vendit”, iu drejtua Berisha kryetarëve të degëve.

Berisha tha se, një grafik i ri do hartohet nga drejtuesi i qarqeve dhe do u shpërndahet kryetarëve të degëve.

“Duhet një grafik emergjence, sepse vota, votimi i emigracionit para gjysmës së elektoratit përfundon më datën 12 mars. Është vendosur një datë, afat për regjistrimin e tyre dhe ata që regjistrohen, apo ky proces përfundon më 12 mars. Pas kësaj date mbyllet proces për 1.5 milionë votues. Ata 1.5 milionë votues janë më së pari në listat e votimit. I keni në listat e votimit. I keni pastaj, në çdo familje dhe kudo. Por, listat e votimit janë dokumentet bazë të orientimit tuaj”, u shpreh Berisha.

“Rezultatet e deritanishme nuk janë ato që duhet të ishin. Unë e di që është bërë punë, dhe po bëhet. Por kjo kërkon që çdo drejtues qarku dhe çdo degë të ngarkojë, të angazhojë forca shtesë për kompletimin sa më parë të këtij procesi. Çdo degë duhet të ketë drejtuesin operativ të procesit, që e kontrollon atë çdo ditë. Ju si kryetarë keni këtë detyrë më kryesore”, shtoi më tej Berisha. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakROMË – Tajani: Italia e gatshme të veprojë si një urëndërtuese midis Sirisë dhe Bashkimit Evropian
Artikulli tjetërGonzato takim me Bogdanin: Diskutim mbi sfidat e KLP në kuadër të procesit të integrimit në BE