Ballina Ekonomi

Bardhi: Ulja e çmimit të energjisë, për qëllime elektorale

Gazment Bardhi - Kreu i Grupit Parlamentar të PD

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me uljen e çmimit të energjisë elektrike, që sipas tij ka qëllime elektorale.

Bardhi thekson se qeveria “pasi e rriti çmimin e energjisë me 30%, duke patur çmimin më të lartë në Rajon, sot quan historike që e ul me 1 lek për kilovat, por ndërkohë mbetemi përsëri vendi me çmimin më të lartë të energjisë se Kosova, Mali i Zi apo Bosnjë-Hercegovina”.

Sipas Bardhit, “Rama rriti për 10 vjet çmimin e energjisë nga 7,4 lekë në 9,5 lekë, që Belinda Balluku të kishte më shumë të ardhura për të vjedhur me tendera dhe duke shitur më lirë e blerë më shtrenjtë energji jashtë Bursës së Energjisë, ndërkohë që sot thotë se është ditë historike që do bëjmë sikur ulim çmimin me 1 lek vetëm për 10 muaj, sa të kalojmë zgjedhjet”.

“Për ilustrim, në Kosovë çmimi mesatar i energjisë për konsumatorët familjarë është 7 lekë për kilovat”, shkruan Bardhi.

Bardhi nënvizon se ulja e çmimit të energjisë nuk duhet të jetë masë vetëm për 10 muaj, apo masë për mashtrim elektoral, por një masë e përhershme, veçanërisht për familjet në nevojë apo me të ardhura mesatare.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHoxha inspektim tek IdentiTek: Përgjysmohet koha e pajisjes me dokumente për diasporën
Artikulli tjetërForcohet dollari në këmbim me lekun, euroja humb lehtë terren