Ballina Flash

Apeli i GJKKO-së: Berisha, “detyrim paraqitje” dy herë në muaj

TIRANË, 3 janar/ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mori sot vendimin për të lënë në “detyrim paraqitjeje” kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi shpalli sot vendimin, i cili parashikon ndryshimin e vendimit të datës 27 nëntor 2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Apeli i GJKKO-së vendosi rrëzimin e kërkesës së të pandehurit Sali Berisha për shuarjen e masës së sigurimit me karakter shtrëngues “Arresti në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, e caktuar ndaj tij me vendimin e datës 30 dhjetor 2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e miratuar me vendimin e datës 25 janar 2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Po ashtu, Apeli i GJKKO-së vendosi zëvendësimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, e caktuar ndaj të pandehurit Sali Berisha me vendimin e datës 30 dhjetor 2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e miratuar me vendimin e datës 25 janar 2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.

Apeli i GJKKO-së urdhëroi të pandehurin Sali Berisha të paraqitet përpara oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të hënë e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 ditëve.

Pas marrjes së vendimit, Genc Gjokutaj, avokati i kryetarit të PD-së, tha se vendimmarrja nëse do të paraqitet apo jo, i takon Sali Berishës.

“Ne nuk bëjmë parashikime, vendimmarrja është e Berishës”, tha ai, duke shtuar se “vendimin nuk e kemi të qartë”.

“Eshtë vendim i pakuptimtë. Duhet të lexojmë vendimin”, u shpreh ai.

SPAK kishte kërkuar revokimin e vendimit të GJKKO-së që i hoqi Sali Berishës masën “arrest shtëpie”, por Apeli i Posaçëm caktoi masë të re, atë të detyrimit të paraqitjes.

/m.m/j.p.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEkonomia parashikohet të zgjerohet me 3,9% në 2025-ën
Artikulli tjetërVendimi i GJKKO-së, Berisha: Do ta respektoj, përpjekje e dështuar e organizatës kriminale që quhet SKAP