Ballina Aktualitet

Pirdeni: Luftë kundër korrupsionit me fokus të veçantë në katër fusha

Ministrja e Administratës Publike, Ardea Pirdeni

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni theksoi sot se pronat, prokurimi publik, tatimet-doganat dhe shëndetësia do të kenë fokus të veçantë në luftën kundër korrupsionit.

Në një intervistë televizive, Pirdeni tha se “tani që reforma në drejtësi ka krijuar institucione të qëndrueshme, që, dita-ditës po prodhojnë rezultate të qenësishme, fokusi ynë më i madh është drejt parandalimit dhe masave me natyrë sistemike për të garantuar që në ato fusha ku korrupsioni është më prevalent ose ato fusha që janë më vulnerabël ndaj korrupsionit të mund të adresohen në mënyrë të qartë”.

“Kemi parë të nevojshme që të gjitha masat në drejtim të luftës kundër korrupsionit do të duhet që të kenë një shtrirje kapilare edhe në pushtetin vendor”, nënvizoi Pirdeni.

Gjithashtu, vijoi ajo, kemi nisur një analizë me Ministrinë e Arsimit për t’u fokusuar tek kurikula e sistemit parauniversitar.

“Ne mendojmë që është esenciale që në sistemin arsimor të kemi breza të edukuar me sjelljen e duhur etike, duke induktuar elementë të dilemave morale që në moshë të hershme, që do të thotë të jesh një qytetar me integritet në radhë të parë dhe më pas sesi të shmangësh një sjellje korruptive më vonë”, tha Pirdeni.

/k.s//a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakIntegrimi në BE, Pirdeni: Në 2025 pritet hapja e të gjithë kapitujve negociues
Artikulli tjetërManjani: Në bisedime me 6 shtete të BE-së për njohjen e pensioneve të shqiptarëve