Ballina Bota

FOKUS – Macron shpall qeverinë e katërt të vitit

PARIS, 23 dhjetor /ATSH-AFP/- Presidenti francez, Emmanuel Macron emëroi sot në mbrëmje qeverinë e re – duke bashkuar një ekip nën drejtimin e Francois Bayrou, kryeministrin e tij të katërt të vitit – për të nxjerrë nga kriza politike ekonominë e dytë më të madhe të BE-së.

“Macron emëroi ish-kryeministren Elisabeth Borne në postin e ministres së Arsimit në një kabinet të ri nën drejtimin e Bayrou”, tha presidenca franceze.

Një tjetër ish-kryeministër, Manuel Valls, u emërua në postin e ministrit të Territoreve Jashtë Shtetit, ndërsa ish-ministri i Brendshëm Gerald Darmanin u caktua ministër i Drejtësisë.

“Si ministri i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu ashtu edhe ministri i Jashtëm, Jean-Noel Barrot mbajtën postet e tyre”, tha presidenca.

Ministri i Brendshëm konservator, Bruno Retailleau, i cili është zotuar të godasë emigracionin e paligjshëm, qëndroi gjithashtu në postin e tij.

Puna e vështirë për të miratuar planin buxhetor për vitin e ardhshëm – i takon Eric Lombard, ministrit të ri të Ekonomisë.

Përfshirja e dy ish-kryeministrave tregon dëshirën e Macron për krijimin e një qeverie që gëzon stabilitet dhe që nuk ka fatin e paraardhësit të Bayrou, Michel Barnier.

Prioriteti për 73-vjeçarin, Bayrou është të sigurohet se qeveria e tij mund t’i mbijetojë një votimi mosbesimi dhe që ajo të miratojë planin buxhetor për vitin 2025.

Rikthimi i papritur i Valls, kryeministër nga viti 2014 në 2016, si kreu i Ministrisë së Territoreve Jashtë Shtetit tregon rëndësinë e postit – pasi autoritetet u kritikuan ashpër për reagimin e tyre ndaj ciklonit vdekjeprurës në territorin e Oqeanit Indian të Mayotte, i cili shkaktoi vdekjen e të paktën 35 personave.

Darmanin, prej kohësh ka lakmuar postin e ministrit të Jashtëm, por pas disa ditësh diskutimesh intensive do të duhet të mjaftohet me Ministrinë e Drejtësisë.

Njoftimi erdhi pasi Franca mbajti një ditë zie për viktimat në arkipelagun e Oqeanit Indian të goditur nga ciklonet në Mayotte, territori më i varfër i Francës jashtë shtetit.

Bayrou, kreu i grupit parlamentar centrist “MoDem”, i cili është aleat i partisë së Macron, u emërua më 13 dhjetor.

Shumë vëzhgues parashikojnë se Bayrou do të luftojë për të mbijetuar.

Franca është zhytur në një ngërç – që kur Macron njoftoi zgjedhjet e parakohshme këtë verë – me shpresën për të forcuar autoritetin e tij.

Vendimi i tij nuk pati rezultat – pasi votimet çuan në një përçarje midis tre blloqeve rivale në parlament. //a.i/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakReshjet e dëborës, Policia: I pakalueshëm aksi Bypass – Qafa e Murrizit, vështirësi qarkullimi në disa rrugë
Artikulli tjetërShqipëria destinacion gjithëvjetor, mbi 11 milionë të huaj deri në nëntor