Ballina Aktualitet

Reshjet e borës, Beci: Firmat kontraktuese po punojnë për pastrimin e segmentit rrugor Bogë-Theth

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Reshjet e shiut dhe ato të borës kanë “pushtuar” vendin dhe siç ishte paralajmëruar nga IGJEUM-i (Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit), përkeqësimi i kushteve të motit pritet të vazhdojë gjatë gjithë ditës së sotme.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se në “aksin Bogë-Theth, firmat kontraktuese po punojnë për pastrimin e segmentit me qëllim mbajtjen e rrugës të hapur për qarkullim. Drejtuesve të mjeteve u rekomandohet përdorimi i zinxhirëve dhe gomave dimërore për të siguruar një udhëtim të sigurt”.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak moti sot parashikohet i vranët në të gjithë territorin. Reshjet e shiut parashikohen që nga orët e mesditës të fitojnë intensitet mesatar e në periudha afatshkurtra hera-herë të lartë kryesisht në zonën e jugut e verilindjes në formën e shtrëngatave afatshkurta.

Në lartësitë mbi 600-700 m priten reshje bore me intensitet të ulët e mesatar, ndërsa në Alpe parashikohen stuhi bore. Në zonat kodrinore priten reshje me intensitet të ulët në formën e flokëve të borës.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – Rutte: Kritikat e Zelenskit ndaj Scholzit të padrejta
Artikulli tjetërEdmond Topi dhe Tinka Kurti vlerësohen si “Regjia më e mirë” dhe “Aktorja protagoniste më e mirë” në Festivalin e Filmit “Coliseum”