Ballina Ekonomi

Borxhi publik ra në 55.45 % të PBB në fund të 9-mujorit

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Treguesit e borxhit publik vijuan rënien edhe përgjatë tremujorit të tretë të këtij viti.

Sipas raportit paraprak të publikuar nga Ministria e Financave, në fund të 9-mujorit, borxhi publik llogaritet në nivelin 55.45 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Të dhënat tregojnë se rënia më e fortë u shënua në segmentin e borxhit të jashtëm. Në fund të 9-mujorit stoku i borxhit të jashtëm llogaritet 23.55 % e PBB-së nga 26.2 % që ishte në fund të vitit 2023.

Qeveria parashikon të vijojë me uljen e borxhit publik.

Sipas saj, projektbuxheti 2025 materializon plotësisht objektivat kryesorë të politikës fiskale si: një balancë primare pozitive; reduktimin e borxhit publik në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, duke synuar për vitin e ardhshëm një nivel borxhi prej 55.8 % të PBB nga 56.3 % që pritet deri në fund të vitit 2024.

Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të bjerë në rreth 55% në vitin 2026 dhe më tej në rreth 48.5% në vitin 2031, duke vijuar politikën e konsolidimit fiskal dhe duke respektuar rregullin përkatës fiskal të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit të shtetit.

Ministria e Financave thotë se menaxhimi i borxhit, pavarësisht ndryshimeve në tregjet ndërkombëtare të reflektuara edhe në tregun e brendshëm, ka qenë i suksesshëm si në rinovimin me sukses të borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm, ashtu edhe duke siguruar financimin e nevojave buxhetore. Kjo, sipas saj, është mundësuar falë edhe përpjekjeve të përmirësimit të strukturës së borxhit në vite, si dhe forcimit të kapaciteteve të menaxhimit, duke përfshirë dhe daljet e rregullta me eurobonde.

Borxhi aktualisht përbëhet nga: borxh i brendshëm, i cili zë rreth 57.5 % të totalit të borxhit, dhe borxh i jashtëm, i cili zë 42.5 % të tij.

Nga këndvështrimi i jetëgjatësisë borxhi afatshkurtër përbën rreth 15% të totalit të borxhit, ndërsa borxhi me afat maturimi mbi një vit në nivelin rreth 85% të totalit të borxhit. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – SHBA, BM, Gjermania dhe Franca bëjnë thirrje për shmangien e përshkallëzimit të konfliktit në Siri
Artikulli tjetër“Apolonia e Ilirisë, 100 vite kërkime arkeologjike franko-shqiptare”, Kumbaro në Senatin francez