TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Opozita mbylli pas 3 orësh protestën e organizuar mbrëmjen e sotme në Tiranë, duke bllokuar 5 prej akseve kryesore.
Protestuesit nën moton “O sot o kurrë” kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve në disa prej akseve të kryeqytetit si Unaza e vogël, rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Willson” dhe nga Pallati me Shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.
Policia kërkoi nga protestuesit të lirojnë rrugën për të mos paralizuar qarkullimin e automjeteve, duke përsëritur se kjo është kundërvajtje penale.
Në disa prej pikave të bllokuara pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ku tek Zogu i Zi ka pasur edhe përplasje fizike mes protestuesve dhe policisë.
Ndërkohë situatë e tensionuar u raportua edhe tek rruga e Elbasanit dhe sheshi Wilson.
Policia përdori ujë me presion për të hapur qarkullimin në sheshin Willson, duke larguar protestuesit. Më pas protestuesit u drejtuan tek bashkia e Tiranës.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi pas mbërritjes përpara bashkisë së Tiranës tha se ”protesta jonë ka qenë qytetare, një protestë e ligjshme sepse Policia e Shtetit ishte njoftuar dhe pa asnjë shkak në mënyrë antiligjore Policia vendosi në një moment të dhunonte protestuesit”.
“Policia ka përdorur të gjitha mjetet e forcës që përdoren në protesta që janë të dhunshme, ndërkohë që protestat ishin tërësisht paqësore. si një mesazh i qartë që nuk është një polici që garanton të drejtat kushtetuese të qytetarëve por një polici që mbron krimin e organizuar”, theksoi Bardhi.
Bardhi u shpreh se “e kam thënë nëse nuk do kishin këtë agresivitet ndaj krimit të organizuar nëse këta punonjës policie sot do të ishin në Elbasan do të kishin ekzekutuar të gjithë urdhërarrestet e SPAK”.
“Ajo që ka ndodhur sot tregon që jemi drejt një shteti që nuk njeh ligje dhe nuk njeh kushtetutë drejt një shteti që zbaton vetëm urdhra të paligjshëm”, tha Bardhi.
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi i shprehu mirënjohjen qytetarëve të pranishëm në protestë.
“Pa fund mirënjohës për ju, për qytetarët që në pesë pika kryesore në kryeqytet dhanë një mesazh të qartë se PD, opozita, qytetarët janë të vendosur në betejë me regjimin e Edi Ramës”.
Pas përfundimit të protestës së opozitës u kthye në normalitet qarkullimi i automjeteve.
/k.s/






















