Ballina Flash

Festat e Nëntorit, fëmijët mbushin me ngjyrat kuqezi sitet e trashëgimisë historike

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Flamuri kuqezi është kryefjala e kësaj periudhe të vitit dhe fëmijët janë protagonistët e zhurmshëm që i japin gjallërinë festave të nëntorit.

Ditët e fundit të nëntorit çdo vit përshkohen nga një atmosferë festive, në sheshe qytetesh, site kulturore e veçanërisht aty ku ka fëmijë. Ata janë të parët që i nisin festimet, me veshjet kombëtare, me flamuj në duar, xhamadanët e qëndisur e shamitë e kuqe.

Institucionet e arsimit parashkollor dhe shkollat kanë nisur prej kohësh përgatitjet për festat e nëntorit: veshjet me ngjyrat e flamurit kombëtar, mësimi i poezive patriotike dhe vizitat në muzeume apo site të tjera kulturore.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja shpërndau sot, në rrjetet sociale, një kolazh fotografish me fëmijë të cilët festojnë të veshur kuqezi.

“Këtë muaj festash kombëtare, kemi pasur kënaqësinë të mirëpresim vizitorët më të veçantë dhe kureshtarë, të cilët kanë mbushur ambientet tona me një atmosferë të mrekullueshme festive, duke i bërë jehonë ngjyrave tona simbolike”, shkroi ministri Gonxhja. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPas botimit në kolanën ndërkombëtare, përralla “Hana, vajza që kapi diellin” e Rovena Rrozhanit vjen edhe në shqip
Artikulli tjetërAkademia Olimpike Shqiptare, përpjekje për përhapjen dhe zhvillimin e Lëvizjes Olimpike