PRISHTINË, 12 nëntor/ATSH/ Një 10-vjeçare dhe një 29- vjeçar po vazhdojnë trajtimin në mjekimin intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas sulmit me thikë dje në Ferizaj. Gjendja e tyre është e qëndrueshme por jo edhe jashtë rrezikut për jetë për shkak se lëndimet janë serioze, sipas këtij institucioni.
Drejtori i Mjekimit Intensiv Qendror, Shaqir Uka tregon për KosovaPress se dy të plagosurit pas intervenimeve kirurgjike të kryera në Qendrën Emergjente, po vazhdojnë të trajtohen në mjekim intensiv.
Ai thotë se të dy pacientët janë të varur nga aparaturat mjekësore dhe barnat.
Ndërkaq, drejtori i Kirurgjisë Maksilofaciale në QKUK, Alban Olluri përmes telefonit tha për KosovaPress se sot është liruar një pacient të cilin e kishim pranuar mbrëmë pas trajtimit në Qendrën Emergjente.
Muhamet Jahiri nga Policia e Kosovës në Ferizaj, tha se ende nuk dihen rrethanat e këtij rasti.
Të hënën Policia në Ferizaj ka njoftuar se një burrë me inicialet E.S, 59 vjeçar ka sulmuar me thikë katër persona, dy prej tyre të mitur.
Ndërkaq, Rrjeti i Organizatave Joqeveritare “Avonet” kanë organizuar aktivitet para ndërtesës së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj në shenjë pakënaqësie siç thonë ata për “dështimin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe Policisë së Kosovës” lidhur më këtë rast.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministri i Mbrojtjes, Xhelal Sveçla dhe ministri i Administrimit Lokal, Elbert Krasniqi ditën e djeshme kanë vizituar këta pacientë të cilët u sulmuan në Ferizaj./KosovaPress/























