Ballina Aktualitet

Debate Vokshi-Ndreca në komisionin hetimor të Shëndetësisë

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Komisioni hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në shëndetësi u zhvillua sot mes debatesh e replikash nga përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës.

Kryetarja e Komisionit Albana Vokshi akuzoi se po uzurpohet komisioni dhe se Garda po përdoret nga Partia Socialiste që të pengojë deputetët që të futen në seanca.

“Do i kërkoja kryesisë së vogël të komisionit dhe anëtarëve të mos vijojnë më provokimet. Po kërkoni të uzurponi komisionin, të minoni hetimet. Mos provokoni me Gardën tek dera që nuk lejojnë deputetet e opozitës të hyjnë në Kuvend. Kush është punonjësi i Gardës që nuk lejon përfaqësuesin e popullit të hyje në komision”, tha ajo.

Ndërsa nënkryetari Ndreca u shpreh se ai nuk ka asnjë kompetencë që të thërras gardën që të ndalojë deputetët që të hyjnë në seancë.

“Garda nuk është thirrur nga ne, se ku rri Garda nuk na merr ne leje. Unë nuk kam lëshuar asnjë urdhër për Gardën, nuk kam asnjë kompetencë që të them se ku duhet që të rrijë Garda”, tha Ndreca.

Duke iu referuar protestës së djeshme të opozitës, Ndreca tha se “opozita po kërkon që të hedhë molotovë edhe në komision”.

“E mira është që të qetësoheni sepse jeni të karikuar për luftë, keni ardhur për të vënë molotov”, tha ai.

Në pamundësi për të vijuar fjalën në komision, deputetët socialistë janë larguar nga mbledhja e komisionit.

/m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakJohn Hopfield dhe Geoffrey Hinton fitojnë çmimin Nobel në Fizikë
Artikulli tjetërGoxhobelli flet për prioritetet në krye të Kadastrës: Bashkitë, rol të rëndësishëm në procesin e legalizimit