Ballina Flash

Elezi: Mungesë burimesh dhe menaxhimi në situatën e zjarreve

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Demokratët Euroatlantikë reaguan sot në lidhje me situatën e rënduar të zjarreve.

Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Myzafer Elezi u shpreh në një postim në rrjetet sociale se kjo është pasqyrë e trishtë e dështimit të Qeverisë për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve.

Elezi shprehet se, 19 vatra zjarri mbeten ende aktive, ndërsa përpjekjet për t’i shuar ato janë të pamjaftueshme dhe shpesh të penguara nga mungesa e burimeve dhe planifikimit të duhur.

Ai më tej i bën thirrje Qeverisë të marrë masa të menjëhershme për të mbështetur forcat zjarrëfikëse me mjetet dhe burimet e nevojshme, si dhe të zhvillojë plane afatgjata për parandalimin dhe menaxhimin e krizave të tilla në të ardhmen.

“Në fshatrat e Finiqit, Selenicës, Pustecit, Tropojës, Matit, Dibrës, Bulqizës dhe shumë të tjerë, flakët po kërcënojnë jo vetëm mjedisin dhe pasurinë tonë natyrore, por edhe jetën dhe pronën e qytetarëve. Ndërkohë, forcat operacionale dhe zjarrfikësit po përballen me sfida të mëdha në terrene të vështira, duke luftuar me të gjitha forcat e tyre për të mbajtur situatën nën kontroll”, shprehet Elezi.

“Situata kritike e zjarreve në Shqipëri dëshmon për neglizhencën e Qeverisë dhe mungesën e koordinimit të duhur për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit tonë. Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë i bën thirrje Qeverisë të marrë masa të menjëhershme për të mbështetur forcat zjarrëfikëse me mjetet dhe burimet e nevojshme, si dhe të zhvillojë plane afatgjata për parandalimin dhe menaxhimin e krizave të tilla në të ardhmen. Siguria e qytetarëve dhe mbrojtja e pasurive tona natyrore duhet të jenë prioriteti numër një i çdo qeverie të përgjegjshme. Qytetarët meritojnë mbështetje dhe zgjidhje. Shqipëria meriton më shumë”, përfundoi ai.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBERLIN – Pistorius: Debati për vendosjen e armëve amerikane në Gjermani, i rëndësishëm
Artikulli tjetërNdryshimet klimatike, BSH: Rreziqet me të cilat përballet sistemi bankar