TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi deklaroi sot se, do t’i kërkohet një opinion Komisionit të Venecias lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
I pyetur në një konferencë për shtyp, për vendimin e gjykatës Kushtetuese për të dërguar mandatin e deputetes Olta Xhaçka, Çuçi u shpreh se, çështja e raportit të parlamentit me Gjykatën Kushtetuese mendoj që është një raport që e përcakton qartë Kushtetuta.
Gjykata ka të drejtë që të shfuqizojë çdo ligj, vendim, akt të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë nëse ajo e gjykon që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe është ajo interpretuesja e fundit e Kushtetutës së Shqipërisë.
Në këtë aspekt ka pasur një vendim të Gjykatës Kushtetuese që ka shfuqizuar dy vendime të marrë nga Kuvendi dhe Kuvendi pa diskutim që as nuk e diskutoi këtë vendim, por i shfuqizoi të dy vendimet”, tha Çuçi.
Në rastin konkret, shtoi Çuçi, “është krijuar një paqartësi në lidhje me faktin nëse do të duhet që një deputet apo të gjithë deputetët duhet të votojnë në një formë të caktuar, të detyruar, jo nga vullneti që i është deleguar nga zgjedhësit, por nga çfarëdolloj institucioni, qoftë dhe nga Gjykata Kushtetuese apo jo. Dhe ky është një debat që nuk ka marrë dhe nuk ka gjetur trajtim as nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese”.
Përkundrazi, u shpreh ai, “Gjykata Kushtetuese, në gjykimin tonë, ka tentuar të krijojë një normë të re kushtetuese gjë e cila nuk ia lejon vetë Kushtetuta, sepse Gjykata Kushtetuese nuk krijon norma të reja”.
“Fakti që një vendim i caktuar vjen për t’u miratuar në parlament. Në momentin që vjen në parlament për t’u miratuar vullneti është krejtësisht sovran i çdo deputeti për ta votuar dhe Kushtetuta njeh në mënyrë absolute pavarësinë e deputetit për të votuar në një formë që ai e gjykon. Madje Kushtetuta thotë që deputeti nuk mban as përgjegjësi për votën e tij është neni 73 i Kushtetutës”, theksoi ai.
“Ne kemi vendosur që ta zgjidhim këtë ngërç me Gjykatën Kushtetuese që t’i kërkojmë një opinion Komisionit të Venecias duke i thënë që mundet një institucion tjetër, jo parlament, qoftë kjo Gjykatë Kushtetuese të imponojë vullnetin e një deputeti në mënyrën sesi duhet të votojë apo jo. Ky është një debat kushtetues që duhet të marrim një interpretim”, tha Çuçi.
“Ne duhet t’i kërkojmë një opinion Komisionit të Venecias lidhur me këtë gjë. A mund të imponohet deputeti i cili sipas Kushtetutës nuk mban as përgjegjësi për votën e tij, jo më ta detyrosh të votojë në një formë të përcaktuar?”, tha ai.























