Ballina Aktualitet

Integrimi evropian, KE 761 rekomandime për Shqipërinë

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi deklaroi sot se, një moment shumë i rëndësishëm në këtë sesion parlamentar ka qenë edhe ngritja e dy komisioneve atipike si Komisioni i Posaçëm për Mirëqeverisjen, Sundimin e  Ligjit dhe Antikorrupsionin dhe Komisioni i Posaçëm Parlament për Dezinformimin.

Në një konferencë për shtyp, Çuçi u shpreh se, janë të dyja atipike, por të dyja shumë të rëndësishme për momentin që po kalon Shqipëria.

“Për komisionin e parë që lidhet me Mirëqeverisjen, Sundimin e  Ligjit dhe Antikorrupsionin, pa diskutim që është shumë i rëndësishëm për kushtet ku është Shqipëria sot dhe situatën ku ndodhet  Shqipëria sot me reformat për transformimin e shteti në një shtet evropian”, tha ai.

“Mendoj që e kemi ngritur në momentin kyç ku ndodhet sot Republika e Shqipërisë, pra Shqipëria si vend dhe jo si qeveri. Pasi me përfundimin e procesit të screening nga Komisioni Evropian, janë lënë shumë detyra, masa, institucione përgjegjëse për të përmbushur të gjithë ato detyrime që ne kemi për rrugëtimin që kemi drejt BE-së”, u shpreh Çuçi.

Dhe, shtoi ai, “duke qenë se shumica e detyrave, shumica e masave, shumica e institucioneve të përfshira në këtë proces janë përtej qeverisë, është gjykuar me të drejtë mendoj unë dhe ne kemi marrë përsipër si parlament, pra si institucion ombrellë, pasi vjen drejtpërdrejt si delegim i sovranitetit të shqiptarëve në çdo 4 vite, për t’i besuar pikërisht ecurinë e vendit, mendoj që ky komision ka një rëndësi të veçantë për të koordinuar punën, për të ushtruar presionin pozitiv në këto institucione dhe për të monitoruar drejtpërdrejt si dhe për të qenë pjesëmarrës aktivë si parlament në ndryshimet e mundshme ligjore dhe rregullatorë që do të duhen për të plotësuar këto detyra, këto masa, këto rekomandime të lëna nga BE-ja”.

“Janë 761 rekomandime që ka dhënë Komisioni Evropian, ku nga këto 390, mbi 50% janë për shtetin e së drejtës. Janë 258 masa dhe këtu janë 77 masa lidhen drejtpërdrejtë me masa për luftën kundër korrupsionit që i adresohen 32 institucioneve të pavarura pa përfshirë qeverinë dhe agjencitë ligjzbatuese brenda qeverisë”, u shpreh Çuçi.

Çuçi shprehu keqardhje që opozita nuk është bërë ende pjesë e komisioneve.

“Besoj që opozita do të na bashkohet në këtë përpjekje tonë për vazhduar rrugën drejt modernizimit të shtetit shqiptar, sepse janë komisione që nuk lidhen me politikën e përditshme dhe luftën politike të përditshme, lidhen me të ardhmen e Shqipërisë”, tha ai.

Gjithashtu, shtoi Çuçi, “po kaq i rëndësishëm, por tashmë me një nevojë që nuk vjen vetëm së brendshmi në Shqipëri, por me një shqetësim që ka prekur të gjithë vendet demokratike sot, ne kemi ngritur Komisionin e Posaçëm për dezinformimin”.

“Është një mekanizëm që të koordinojmë të gjitha përpjekjet tona në mënyrë që çdo tentativë që vjen nga vende jo mike për të dezinformuar publikun shqiptar me qëllim sigurisht minimin e vlerave demokratike të një shteti demokratik siç është Shqipëria, besoj se është i domosdoshëm”, tha ai.

“Është një komision që e ka ngritur Parlamenti Evropian, Është një komision që e kanë ngritur disa vende demokratike që janë jashtë BE-së dhe është një rrezik që artikulohet pothuajse në të gjitha vendet demokratike sot, përfshirë këtu edhe partnerin tonë strategjik SHBA-të”, u shpreh Çuçi.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Harris: Do të bashkoj demokratët dhe ne do të fitojmë
Artikulli tjetërÇuçi: Opinion Komisionit të Venecias për mandatin e deputetes Olta Xhaçka