TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi sot seancë dëgjimore me Drejtoreshën e Përgjithshme të Shërbimit Informativ Shtetëror lidhur me raportimin vjetor të veprimtarisë së institucionit për vitin 2023.
Pjesa kryesore raportimit u zhvillua pa praninë e mediave, ndërsa në një raportim të shkurtër të hapur për publikun, Drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni u shpreh se, “SHISH ka fokusuar veprimtarinë informative operative në përmbushje të misioneve dhe detyrave ligjore dhe prioriteteve për vitin 2023. Kontributi informativ ka qenë dinamik vlerësues dhe paralajmërues në nivelin strategjik për çështje të sigurisë kombëtare dhe asaj ndërkombëtare. Ishte dhe konkret dhe i dobishëm përkundrejt me agjencitë ligjzbatuese”.
“Kemi rritur bashkëpunimin dhe mbështetjen informative për agjencitë ligjzbatuese referuar kompetencës së tyre lëndore si me SPAK-un, BKH-në, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme dhe institucione të tjera”, tha Hyseni.
“Referuar bashkëpunimit dhe informacionit të SHISH janë realizuar kundërvënie konkrete ndaj veprimtarive të jashtëligjshme si brenda dhe jashtë vendit. Kryesisht jemi fokusuar në operacionet që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, antiterrorin kundërspiunazhin ku përfshihet kundërvënia ndaj aktiviteteve të shërbimeve të inteligjencës ruse, serbe dhe shteteve të tjera me qëllime armiqësore në raport me Shqipërinë”, u shpreh Hyseni.
“Sa i përket transparencës së publikut që u ngrit si shqetësim në Komision, ne kemi website-in që komunikojmë me qytetarët, kemi komunikimin me transparencën që rregullohet në bazë të ligjeve të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Hyseni.
“Sa i përket deklaratave të ndryshme në media dhe akuzave komplet të pabaza në drejtim të shërbimit, mendoj që duhet të jemi të rezervuar dhe të kemi fakte dhe prova kur akuzojmë për ndonjë aktivitet, apo për ndonjë takim të dyshimtë të drejtorit të shërbimit”, tha ajo.
Më pas raportimi vijoi pa praninë e mediave.























