TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi sot seancë dëgjimore me Autoritetin Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike lidhur me raportimin vjetor të veprimtarisë së institucionit për vitin 2023.
Igli Tafa, Drejtor i Përgjithshëm i AKCESK u shpreh në fjalën e tij se, AKCESK ka nisur punën për implementimin e ligjit të ri për sigurinë kibernetike që në fillim të vitit 2023 në mënyrë që të jemi në të njëjtin hap me kërkesat që vijnë nga BE. Faktikisht vjet është përshtatur Ligji i Sigurinë Kibernetike, i cili përfundoi dhe u miratua në mars të vitit 2024, për të cilin jemi krenarë për shkak se ky ligj është përshtatur sipas direktivës më të fundit të BE-së dhe jemi ndër vendet e para të BE që kemi përshtatur këtë ligj”.
“Një tjetër ligj të cilin ne e kemi përshtatur është Ligji për Shërbimet e Besuara të cilin kemi filluar që vjet për të bërë draftin që po e implementojmë dhe po e mbyllim këtë vit”, tha Tafa.
Tafa u shpreh se AKCESK ka ngritur një strategji të bazuar në 3 shtyllat kryesore të sigurisë kibernetike.
“Shtylla e kontrollit teknologjik, duke analizuar të gjitha infrastrukturat. Aktualisht 289 infrastruktura kritike janë skanuar vjet dhe analizuar nga AKCESK për të parë pozicionin e tyre edhe sa të qëndrueshme janë ndaj sulmeve kibernetike, duke i parë ato në bazë të teknologjisë dhe investimeve të cilat kanë bërë operatorët”, tha ai.
“Vitin e kaluar është parë një rritje e investimeve teknologjike. Janë investuar 16.8 milionë euro në pjesën e teknologjisë në infrastrukturat kritike që kemi analizuar”, u shpreh Tafa.
Ai tha se, një tjetër shtyllë është pjesa e burimeve njerëzore, ku është kryer një plan për trajnimin e ekspertëve.
“Vendi ynë ka burime të kufizuara kapacitetesh profesionistësh dhe një nga sfidat tona për Shqipëria 2030 është ngritja e një numri ekspertësh të nevojshëm të cilët do të jenë të aftë të mbrojnë hapësirën kibernetike të vendit tonë. Për këtë arsye kemi nisur punën me një plan të qartë për përcaktimin e boshllëqeve në të gjitha infrastrukturat e vendit, duke parë sa ekspertë mungojnë dhe aty ku ka ekspertë, sa është boshllëku profesional i tyre. Kemi përllogaritur sesi duhet të ngrejmë planin e trajnimeve mbi këto ekspertë”.
Tafa theksoi se, aktualisht në Shqipëri ka një mungesë që shkon tek 176 ekspertë, të cilët duhet të rekrutohen si ekspertë të sigurisë kibernetike sa i përket infrastrukturave kibernetike.
Sa i përket shtyllës së standardeve, Tafa u shpreh se, e gjithë infrastruktura kritike është analizuar se sa janë implementuar ato bazuar në standardet e sigurisë kibernetike.
“17 sektorët të ndikuar, nga energjia tek transporti, telekomunikacionit etj grumbullohen në riskun kombëtar”, tha Tafa.






















