UASHINGTON, 12 korrik /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik, Keir Starmer deklaroi se gjatë takimit të parë me presidentin amerikan, Joe Biden kishte diskutuar probleme serioze dhe se ky i fundit kishte qenë në formë, shkruan theguardian.com.
Kryeministri tha se mendimi i tij personal, pasi kaloi gati një orë në bisedime private me Biden dhe mori pjesë në një darkë me udhëheqësit e NATO-s në Shtëpinë e Bardhë, ishte se ”presidenti ishte i kthjellët mendërisht”.
I pyetur në një seri intervistash televizive nëse kritikat ndaj Bidenit ishin kompromentuese, kryeministri tha se ”mendimi im personal është se ai ishte në gjendje të mirë. Natyrisht, isha shumë i etur për të diskutuar Ukrainën, por kishte shumë çështje të tjera që ne i diskutuam”.
Sipas Downing Street, Starmer nuk ngriti çështjen e shëndetit të presidentit amerikan apo planet e tij të ardhshme në takimin e tyre, por gazetarët e pyetën atë në lidhje me ”spekulimet e mediave se Biden mund të ketë simptoma të hershme të demencës”.
”Patëm një takim dypalësh vërtet të mirë. Biseduam për gati 45 minuta me njëri-tjetrin. U përballëm me shumë probleme të ndryshme dhe ai ishte në gjendje shumë të mirë”, shtoi Starmer.
”Biden ishte absolutisht i vëmendshëm ndaj të gjitha detajeve në diskutimet mbi çështjet përfshirë Ukrainën, Gazën dhe marrëdhëniet evropiane si dhe çështjet e mbrojtjes”, shtoi ai./ /os/














