Ballina Bota

UASHINGTON – SHBA e shqetësuar për kërcënimin e Putinit për dërgimin e armëve në Korenë e Veriut

UASHINGTON, 21 qershor /ATSH-DPA/- SHBA-ja ka shprehur shqetësim për kërcënimin e presidentit rus Vladimir Putin për të furnizuar Korenë e Veriut me armë, duke paralajmëruar se do të “destabilizonte” gadishullin Korean.

“Në varësi të llojit të armëve të ofruara, një veprim i tillë mund të shkelë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat Rusia i mbështeti vetë”, tha dje në mbrëmje zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Matthew Miller.

“SHBA-ja do të vazhdojë të punojë me aleatët e saj në rajon, duke përfshirë Korenë e Jugut dhe Japoninë, për t’iu përgjigjur kërcënimit të paraqitur nga Koreja e Veriut”, tha ai.

Gjatë vizitës shtetërore në Phenian, Putin nënshkroi një marrëveshje partneriteti me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, që përfshin një zotim për ndihmë të ndërsjellë nëse ndonjë vend sulmohet.

Duke folur dje në Vietnam, Putini kërcënoi se do t’i dorëzonte Koresë së Veriut armë me precizion të lartë si përgjigje ndaj dërgesave të armëve perëndimore në Ukrainë.

Qeveria e Koresë së Jugut shprehu shqetësim për partneritetin strategjik Rusi-Kore e Veriut.

Seuli tha se angazhimet e sigurisë shkelnin sanksionet e OKB-së të vendosura ndaj Phenianit. Koreja e Jugut sugjeroi gjithashtu se mund të rishqyrtojë politikën e saj të gjatë për të mos furnizuar me armë Kievit.

Putini tha se Koreja e Jugut do të bënte një “gabim të madh” nëse furnizonte me armë Ukrainën.

“Nëse kjo ndodh, atëherë ne do të marrim vendime përkatëse që nuk do të kënaqin udhëheqjen aktuale të Koresë së Jugut”, tha Putin.

Putin i quajti shqetësimet e Seulit të pabaza. //a.i/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakE shtuna festive në Pazarin e Ri
Artikulli tjetërBorrell takon kryediplomatët e Ballkanit Perëndimor